Tiranë | Ministrja Bregu i bën thirrje Ramës për votimin e tre ligjeve

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama që në 21 shkurt të votojë 3 ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian nga Shqipëria. “Ke një rast tjetër Edi Rama, më 21 shkurt, të enjten, të votosh 3 detyrime të paplotësuara, të cilat do ta afrojnë Shqipërinë me Evropën! Ke një rast tjetër, ti dhe partia jote që të konsiderohesh , si mbështetës e kontribues në realizimin e ëndrrës së atyre që përmbysën diktatorin më të egër, me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Përndryshe, siç shqiptarët e kanë treguar në 20 shkurtin e 1991, kur i bllokon e dhunon aspiratat e tyre, ata të rezervojnë vetëm një fund: rrëzimin!”, tha Bregu. Ministrja Bregu kujtoi edhe një herë festimet për 20 shkurtin. “20 shkurti 2013 do të na mbledhë pasdite në orën 16.30 për të festuar ditën e madhe të përmbysjes së bllokut të komunizmit. Ditën ku morën udhë liritë tona”, u shpreh Bregu. Sipas saj, “20 shkurti 1991, kishte vetëm një motiv: rrëzimin e diktaturës, hapjen e dyerve drejt Evropës së shumë ëndërruar. U ngritën të gjithë për t’i dhënë fund njëherë e mirë vuajtjeve të prindërve, persekutimeve, ekzekutimeve, kampeve të përqëndrimit. “Ne sot jemi ndryshimi! Shqiptarët duan të ecin përpara!”, vijoi Bregu, “dhe nuk harrojmë se 20 shkurti është fundi i një sistemi diktatorial, pinjollët e rinj të së cilit po kërkojnë me çdo kusht ta rilindin përsëri”. Sipas ministres Bregu, “sot, Rilindasit e Bllokut, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesë për etërit e tyre, por vazhdojnë bindshëm t’u japin të njëjtin dënim shqiptarëve: t’i bllokojnë”. “Tentuan të bllokojnë NATO-n. Dështuan. Tentuan të bllokojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër Evropë. Prap dështuan. Po bllokojnë për tre vjet me radhë statusin e vendit kandidat. Do të dështojnë sërish nëse vazhdojnë kështu”, theksoi Ministrja Bregu.

Advertisement