Tiranë – Ministria e Transporteve padit operatorët e transporteve

Mësohet se kallëzimi penal u depozitua sot në Prokurorinë e Tiranës. “Kemi depozituar sot, pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë dhe zyrës së Prokurores së Përgjithëshme, kallëzimin penal ndaj të gjithë drejtuesve ligjorë të operatorëve të transportit publik urban. Ata janë Hazbi Parllaku dhe Gugash Dollia, drejtues të shoqërisë “Tirana Urban Trans”, Ferdinand Ibrahimi, pronar dhe drejtues i shoqërisë “FERLUT”, Albana Vrapi, pronare dhe drejtuese e Shoqërisë “Alba Trans”, Alush Lame pronari dhe drejtuesi i Shoqërisë “Tirana Lines”, Redi Berberi pronari dhe drejtuesi i Shoqërisë “Otto Al” të cilët penalizuan në mënyrë të padrejtë, për tre ditë rradhazi, bllokimin e përdoruesve të aboneve dhe disa kategorive të caktuara që përfitojnë lehtësira për shkak të statusit të tyre të veçantë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi si:Invalidët e punës, invalidët e luftës, invalidët paraplegjik dhe tetraplegjik, të verbërit dhe shoqëruesit e tyre, jetimet, veteranët e luftës, personat me aftësi të kufizuar, thuhet në deklaratë. Megjithë zgjidhjen e situatës pas ndërhyrjes së Kryeministrit ajo cfarë ndodhi, ku rreth 80.000 përdoruesve të transportit publik ju mohuan të drejtat në mënyrë të paligjshme nuk mund të kalohet pa u ndëshkuar. Për këtë arsye Ministria e Transporteve i kërkon Bashkisë së Tiranës të penalizojë administrativisht me heqje licençe të gjithë operatorët që ndërmorën këtë veprim të paligjshëm.

Advertisement