OBSH u bëri thirrje të gjitha qeverive të cdo shteti në botë që t’i aktivizojnë planet e tyre dhe të jenë në gjëndje gatishmërie. Në kuadër të kësaj thirrjeje drejtuesit e të gjitha spitaleve rajonale u njohën me masat e nevojshme që duhet të merren për përballimin e rasteve të mundshme me virusin e gripit të derrave, në një takim në ministrinë e Shendetësisë. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, tha se “aktualisht jemi në fazën 5 të vlerësimit të pandemisë, që do të thotë se gjithë sistemi spitalor duhet të jetë në gatishmëri të plotë”. Sipas tij, takimi me drejtorët e spitaleve rajonalë ndërmerret pikërisht që ata të jenë në aftë që presin të sëmurët hipotetikë, në rast se do të ketë të tillë dhe për trajtimin e këtyre të sëmurëve. “Thelbi është rivlerësimi i situtatës aktuale, që sipas të dhënave të fundit, paraqitet e mirë. Dhomat e izolimit tashmë ekzistojnë në spitalet rajonale si dhe stafi mjekësor është i përgatitur për simptomat e virusit të gripit të derrit”, tha zv.ministri Ivanaj. Për këtë rast, është shpërndarë plan-veprimi, ku përfshihen veprimet që duhen ndërmarrë nga të gjithë punonjësit e shëndetit publik dhe spitaleve, në rast të dyshimit për ndonjë person të prekur nga virusi, deri në momentin e deklarimit të tij si i sëmurë. Në koordinimin e të gjithë veprimeve qëndron Ministria e Shëndetësisë, që do të ndërhyjë në momentin e dhënë, sipas situatës. “Është e rëndësishme që të insitojmë tek kalimi i mesazhit se jemi në një urgjencë mjekësore, por shumë larg një emergjence civile” , tha Ivanaj. Ai theksoi se “nuk ka vend për panik dhe nuk është e nevojshme të ndryshojmë asgjë nga sjelljet tona të përditshme”. Njëherësh, Ivanaj siguroi se “në të gjitha spitalet tona ka maska dhe doreza të nevojshme për këtë qëllim, që përdoren rutinë, pasi nuk ka nevojë për speciale”. Sipas tij, edhe paneli i duhur i medikamenteve është siguruar tashmë. Gjatë takimit specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, informoi lidhur me masat e nevojshme për situatën, ndër të cilat, përcaktimi i mjedisit ku do të trajtohen të sëmurët, vendosja e etiketave të kujdesit respirator, përcaktimi i ekipit me mjekë dhe infermierë, autoambulancat që do të bëjnë transportin, etj. Për Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë u rekomandua që për përballimin e një pandemie të mundshme, të ngrihen dhe mbahen në gatishmëri ekipet lëvizëse me specialistë të fushës, në ndihmë të spitaleve rajonale. MSH është në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucionet e shëndetit publik europian, dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, ndërsa adaptimi i të dhënave është i përditshëm. Pranë MSH është ngritur dhe Komisioni i Ekspertëve të Pandemisë. Sipas ISHP, simptomat e gripit të derrit tek njerëzit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm të njerëzve, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, kolla, por vihet re dhe diarre. Ndaj në rast të konstatimit të këtyre shenjave, të gjithë personat që kanë udhëtuar në zonat e prekura, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku. Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti sot nivelin e alarmit në shkallën e parafundit për shkak të epidemisë së gripit të derrave. Shkalla e Pestë e alarmit nënkupton se në të paktën dy shtete në një rajon është regjistruar bartja e këtij virusi nga njeriu në njeri. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, tha se i tërë njerëzimi mund të jetë i kërcënuar nga kjo epidemi. Ajo u ka rekomanduar qeverive në mbarë botën që t’i aktivizojnë planet e tyre dhe të jenë në gjëndje gatishmërie.