Tiranë – Ministria e Shëndetësisë bashkëpunon me Spitalin e Bergamos (Itali)

Për këtë, në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë u nënshkruan sot Marrëveshja e Bashkëpunimit me Rajonin e Lombardisë (Itali), konkretisht Spitalit të Bashkuar të Bergamos. “Është një marrëveshje, me të cilën synojmë të thellojmë bashkëpunimin në fusha të ndryshme të shëndetësisë, kryesisht në fushën e menaxhimit shëndetësor, në fushën e cilësisë së shërbimit shëndetësor, farmaceutikës”, tha gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Gjithashtu, sipas saj, “do të organizohen dhe vendosen bashkëpunime midis spitaleve të bashkuara, Qendrës Spitalore të Bergamos dhe spitaleve të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, por dhe spitaleve të rretheve”. Ndërkohë, fushat e bashkëpunimit dypalësh janë të hapura dhe do të zgjidhen e vendosen me iniciativën dhe nevojat e të dy palëve. “Aktualisht, është shfaqur dëshira dhe është mbuluar iniciativa për bashkëpunim në fushën e neurologjisë dhe obstetrikë gjinekologjikë”, vuri në dukje znj. Godo, sipas së cilës, “këto bashkëpunime do të synojnë rritjen e shërbimit shëndetësor në këto dy fusha, në stimulimin e shërbimeve të reja, që praktikisht në Shqiperi mund të mos ekzistojnë akoma, si dhe në trajnime afatshkurta të personelit pranë spitaleve të bashkuara dhe spitaleve të Bergamos”.

Advertisement