Tiranë – Ministria e Mjedisit sqaron: do të importojmë mbetje që riciklohen

Sipas zv.ministrit të Mjedisit, kjo nismë jo vetëm mbështet ekonominë e gjelbër dhe nuk ndot Shqipërinë, por përafron legjislacionin shqiptar me atë europian, duke zbatuar një kusht të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me miratimin e një liste që quhet lista e gjelbër ose lista e produkteve të pastra që lejohet të qarkullojnë për qëllime riciklimi. “Sqaroj se bëhet fjalë për lëndë të parë për industrinë ricikluese dhe jo për import plehrash, sikurse u tha. Në ndryshim nga vendimet e vitit 2004, nuk bëhet fjalë për incenerator të plehrave, sic propozonte dikur opozita e sotme, por për lëndë të para që do të përdoren nga industria ricikluese për prodhim të produkteve të reja”, thekson zv/ministri. Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri vepron një industri e aftë për të ricikluar mbi 6 mijë ton në muaj mbetje plastike, alumini apo letre ose thënë ndryshe rreth 8.5% të mbetjeve që prodhohen në Shqipëri. Mbeturinat në vend adminstrohen nga pushteti lokal, por sipas Ministrisë së Mjedisit, qeverisja vendore nuk ofron asnjë mundësi për të ricikluar mbeturinat, cka do të kontribuonte jo vetëm në mbështetjen e biznesit të riciklimit, por edhe në pastërtinë e mjedisit. “Bashkia e Tiranës, për shembull, bashkia më e madhe e vendit dhe prodhuesja më e madhe e plehrave në vend, ofron 0% mundësi riciklimi. Për fat të keq, sot zoti Rama u tregoi edhe një herë shqiptarëve se njohuritë e tij fillojnë dhe mbarojnë tek lejet e ndërtimit”, shton zyrtari i ministrisë.

Advertisement