Tiranë – Ministria e Financave merr kredi për shpenzime kapitale për 2009

Paraditen e djeshme Ministri i Financave Ridvan Bode ka nënshkruar një marrëveshje për kredi në vlerën e 250 milionë euro për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë finacimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash, por pa saktësuar se sa nga kjo shifër do të kalojë për financimin në fjalë. Kredia sindikale me “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank” do të shpërndahet në dy transhe, i pari prej 95 millionë euro, do të disbursohet brënda muajit Maj, dhe transhi i dytë prej jo më tepër se 155 milionë euro, do të shpërndahet brënda muajit qershor. Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash është ndarë në tri lote. Loti i parë është ai Rrëshen-Reps, me një gjatësi prej 18.9 km, prej të cilave 17.838 km janë rrugë, ndërsa 1.062 km janë ura. Segmenti i dytë është ai Reps-Thirrë, i gjatë 26.282 km. Brenda këtij segmenti ndodhen 2.62 km ura, ndërsa rrugë janë 23.662 km. Ndërsa segmenti i tretë dhe i fundit i rrugës Rrëshen-Kalimash, është ai Thirrë-Kalimash. Gjatësia e këtij loti është 14.975 km dhe brënda tij ndodhen 9.066 km rrugë, 0.434 km ura si edhe 5.475 km tunel.

Advertisement