Në një reagim për mediat, Ministria e Financave shprehet se përgjegjëse për situatën e krijuar është vetëm pushteti vendor dhe konkretisht Bashkia e Tiranës. “Transporti urban është funksion ekskluziv i pushtetit vendor dhe fondet për këtë qëllim janë bërë prej shumë vitesh pjesë e transfertës së pakushtëzuar të pushtetit vendor. Mbi këtë bazë përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e problemeve të këtij sektori i takon bashkive”, thuhet në reagimin e Financave. Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka theksuar se është e gatshme të diskutojnë në zgjidhjen e problemit, nëse diçka e tillë kërkohet nga Bashkia e Tiranës. “Me gjithë diskutimet e bëra disa herë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe MPPT, pushteti vendor nuk ka qenë pjesë dhe bashkëpunues në zgjidhjen e problemeve. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë, nëse kërkohet asistenca jonë”, thuhet në njoftim.


