Tiranë | Ministria e Energjitikës hedh poshtë akuzat për cmimin e energjisë

Ministria e Energjitikës hodhi poshtë akuzat e opozitës se rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë negativisht në të ardhmen, në xhepat e qytetarëve shqiptarë.

“Hedhim poshtë me neveri tentativat e opozitës për të keqinformuar opinionin publik mbi gjendjen në të cilën ndodhet sistemi energjitik. Qytetarët shqiptarë nuk duhet të bien pre e propagandës së atyre që për tetë vite nuk bënë asnjë investim dhe shkatërruan sistemin energjitik, duke lënë pas një kolaps të plotë, një privatizim të dështuar të shpërndarjes dhe një konflikt të hapur ligjor që jo vetëm do t’u kushtonte shtrenjtë xhepave të shqiptarëve, por edhe do të mbante larg vendit tonë çdo investitor të huaj serioz”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Energjitikës. Në vijim deklarata informon opinionin publik se studimi për politikat e çmimit të energjisë elektrike është duke u bërë nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili po analizon treguesit duke kërkuar të dhëna nga Ministria e Energjitikes dhe Industrisë dhe kompanitë përbërëse të sistemit energjitik. “Qeveria shqiptare e ka treguar në 300 ditët e qeverisjes se prioriteti numër një i saj është mbrojtja e interesit të qytetarëve shqiptarë. Ne garantojmë çdo shqiptar se çdo ristrukturim që mund të jetë i nevojshëm në të ardhmen për të zhvilluar sektorin dhe garantuar qëndrueshmërinë e tij, nuk do të cënojë interesat e qytetarëve dhe familjarëve shqiptarë”, nënvizon deklarata e Ministrisë së Energjitikës.

Advertisement