Tiranë | Ministria e Ekonomisë reagon për pyetjet e deputetëve të PS për minierën e Bulqizës

Friday, December 19, 2025

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është njohur dje me disa pyetje që një grup deputetësh të Partisë Socialiste, kanë bërë në adresë të këtij institucioni, lidhur me gjendjen në minierën e Bulqizës. METE pasi u njoh me pyetjet e deputetëve të rinj të PS-së, shpreh keqardhjen me këta deputetë të rinj, që vijojnë sjelljen jo-institucionale dhe ligjore, duke përdorur mediat si burim propagande, ndërkohë që ligji për të drejtën e informimit dhe e drejta si deputetë u jep atyre të gjitha hapësirat, jo vetëm të marrin të gjithë informacionin e kërkuar në rrugë ligjore, madje edhe shtesë, por edhe ta përdorin atë në interpelancë parlamentare. METE shpreh shqetësimin e saj, se miniera e Bulqizës, minatorët, si dhe gjendja në atë sektor, janë duke u përdorur keqazi nga forca të caktuara politike, që nga ana e tyre përdorin për firma deputetësh të ardhur në Parlament në vitin 2009, madje edhe më vonë, dhe duan të harrojnë të kaluarën socialiste. Nuk është e rastit që në pyetjet e drejtuara, asnjë prej firmëtarëve, nuk ka qenë deputet nga viti 2000-2005, kur edhe janë dhënë rreth 54 përqind e lejeve minerare. Për METE, është e çuditshme që për një problem kaq serioz siç është situata në minierën e Bulqizës, Partia Socialiste nuk ka futur mes firmëtarëve edhe dy deputetët e qarkut të Peshkopisë ku përfshihet edhe Bulqiza, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi. METE shpreh habinë se si një grup ligjvënësish të rinj shqiptarë janë në dijeni se grupe mafioze të veshura me pushtet kontrollojnë minierat, dhe nuk i denoncojnë ata në prokurori, por bëjnë politikë me jetët e minatorëve dhe me familjet e tyre. Përsa u takon këtyre të fundit, METE ka treguar me ligj dhe jo me fjalë prej mëse një viti, se ajo është në krah të shqetësimeve të minatorëve. Vendimet për pezullim, apo edhe heqje liçencash shfrytëzimi janë ndërrmarrë nga ky insitucion dhe jo vetëm një herë, pa pasur nevojë për pyetje të parapërgatitura dhe të qëllimta politike. Megjithatë METE mbetet e hapur dhe i siguron deputetët e rinj të Partisë Socialiste se ata dhe publiku shqiptar, do të marrin përgjigje të plotë dhe të saktë për çdo shqetësim dhe pyetje, duke kërkuar njëkohësisht prej tyre të marrin informacionin e nevojshëm edhe brenda forcës së tyre politike lidhur me marrëveshjet konçensionare të nënshkruara dhjetë vjet më parë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shpreh keqardhjen për çdo jetë të humbur në minierën e Bulqizës dhe premton gjithë vendosmërinë e saj për t’i thënë stop çdo lloj abuzimi politik dhe profesional në kurriz të minatorëve shqiptarë. METE është e gatshme dhe bashkëpunuese në ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për minierat e Bulqizës, gjithashtu mbetet e hapur për një interpelancë parlamentare, nga deputetët e rinj të Partisë Socialiste.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -