Oketa, e njohu Ministren Taylor me mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik dhe të opinionit publik të vendit për çështje madhore që lidhen me sigurinë e vendit, anëtarësimin në NATO etj. Në këtë kuadër, theksoi z. Oketa, Qeveria Shqiptare ka alokuar për mbrojtjen 2% të GDP-së. Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e përparësive dhe detyrimeve, po e menaxhon këtë buxhet në të mirë të modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe për të arritur objektivin për kalimin tërësisht në një forcë profesioniste brenda vitit 2010. Ministrja Britanike për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare, znj. Ann Taylor e uroi Ministrin Oketa për pranimin e Shqipërisë në NATO. Ajo theksoi se, kjo u arrit në saj të vlerësimit të punës dhe kontributeve duke e merituar plotësisht anëtarësimin në Aleancë. Ajo u shpreh se pranimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO forcon më shumë paqen e sigurinë në rajon. Zonja Taylor u interesua gjithashtu për rritjen e modernizimit dhe profesionalizmit të Forcave të Armatosura Shqiptare, si domosdoshmëri për të qenë të ndërveprueshme me aleatët. Në vijim, bashkëbiseduesit vlerësuan sidomos angazhimin në kuadër të Aleancës në operacionin paqeruajtës në Afganistan. Oketa rishprehu angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të rritur kontributin në Afganistan me një kompani trupash paqeruajtëse shtesë dhe se Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj deri në kryerjen e plotë të misionit të Aleancës. Ministri e njohu znj. Taylor edhe me punën që po bëhet për realizmin e një nga objektivave kryesore të institucionit që ai drejton, atë të shkatërrimit të municioneve të tepërta në vend, duke u mbështetur edhe në ndihmën e NAMSA-s dhe në bashkëpunimet bilaterale me vendet aleate. Gjithashtu z. Oketa e falenderoi për mbështetjen e dhënë nga pala britanike për arsimimin, trajnimin dhe kualifikimin e personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura, duke shtuar se këto efektiva janë e ardhmja e trurit të FA të Shqipërisë.