“Që nga mesi i muajit janar, kur nisi ky proces dhe deri dje, u paraqitën dhe aplikuan për letërnjoftimet elektronike, 1.402.000 shtetas shqiptarë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike dhe që ende nuk i kanë marrë nga zyrat e gjendjes civile, të paraqiten sa më parë për t’i tërhequr ato”, u shpreh ministri Nishani. Sipas tij, janë tërhequr nga qytetarët mbi 1 milion dokumente, ndërsa deri në 28 qershor, qendrat do të jenë të angazhuara me shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike. “Nëse kemi 1.402.000 qytetarë që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike, janë vetëm 1.050.000 që i kanë tërhequr deri më tani. Ndaj, do t’u lutesha qytetarëve që ende nuk i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike, të paraqiten sa më shpejt pranë zyrave përkatëse për të bërë të mundur tërheqjen e letërnjoftimeve, të cilat janë të gatshme për t’u dhënë”, sqaroi ministri i Brendshëm. Deri në fund të vitit, të gjithë shtetasit do të jenë të detyruar të pajisen me kartat e identitetit.