Tiranë | Ministri Naco: reformat e qeverisë ruajtën stabilitetin financiar

mete

Ministri i Ekonomisë e cilësoi vitin e shkuar një vit të suksesshëm për ekonominë shqiptare, duke nënvizuar se Shqipëria falë reformave të qeverisë arriti të ruajë stabilitetin financiar në kushtet e një krize të thellë globale, duke premtuar se reformat dhe performanca e suksesshme do të vijojë edhe gjatë vitit 2012. Ministri Naço tha se po ecën në rrugën e duhur edhe projekti i gazsjellësit TAP, duke nënvizuar se bisedimet me partnerët në Azerbajxhan janë në rrugë të mbarë dhe Shqipëria përmes këtij projekti ndërkombëtar do të përfitojë 1 miliard dollarë investime. Gazsjellësi TAP “Trans Adriatik Pipeline”, në rast se fiton, do të mundësojë kalimin e gazit natyror nëpërmjet korridorit juglindor nga deti Kaspik, në Azerbajxhan, Gjeorgji, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe më pas përmes detit Adriatik përfundon në Itali, pritet ta shndërrojë Shqipërinë në një pikë strategjike për shpërndarjen e energjisë në rajon. Ministri i Ekonomisë theksoi se ndër arritjet kryesore në vitin 2011 ishte nisma për ndryshimet në kuadrin ligjor të sektorit energjetik, duke saktësuar se do të dërgohen në komisionet parlamentare disa projektligje të reja, që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve, duke i dhënë një frymëmarrje të re tregut të energjisë. “Ministria e Ekonomisë dhe qeveria kanë marrë të gjitha masat për furnizimin me energji elektrike 24 orë edhe pse po e blejmë me kosto të lartë për shkak të thatësirës, dhe kjo për të mbrojtur interesat e konsumatorëve vendas”, u shpreh ministri Naço. Sipas Naços eliminimi i tarifave doganore bëri që eksportet e prodhimeve vendase në vitin 2011 të rriteshin në masën 26%, krahasuar me vitin 2010. Ministri Naço bëri me dije se gjatë vitit 2011 janë nënshkruar 12 kontrata koncesioni me biznesin vendas dhe të huaj për ndërtimin e rreth 50 HEC-eve të mëdhenj dhe të vegjël; prodhimi i naftës bruto është rritur me 20 %, që nënkupton 2 herë më shumë krahasuar me vitin 2005 dhe prodhimi minerar është rritur 32 % më tepër se në vitin 2010.

Advertisement