Tiranë | Ministri Naço letër Cefës: KLD promovon gjyqtarë në kundërshtim me ligjin

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ka kërkuar sot me një letër zyrtare drejtuar zv/kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Evis Cefa, të japë shpjegime në lidhje me mosprocedimin disiplinor ndaj tre gjyqtarëve, përkatësisht Valbona Duraj, Lindita Hoxha dhe gjykatësin Granit Qypi.

Ministri Naço shkruan në letrën dërguar Cefës se për këta gjykatës në KLD ka patur kërkesa për procedim disiplinor në vitin 2012 dhe 2013, por nga ky këshill s’ka patur asnjë reagim, por përkundrazi ka vazhduar promovimi i tyre në kundërshtim me ligjin. Në letër shkruhet se në rastin e gjyqtarit Granit Qypi, është lejuar vazhdimi në kundërshtim me ligjin në funksionin e tij si drejtues i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pavarësisht kërkesës së Ministrit të Drejtësisë. Po kështu, në rastin e gjyqtares Valbona Duraj në kundërshtim me ligjin është lejuar promovimi i saj pavarësisht kërkesës së sipërpërmendur të Ministrit të Drejtësisë. Ministri Naço kërkon që vlerësimi për këta gjyqtarë të futet në rendin e ditës për mbledhjen e ardhshme, pasi prej më shumë se një viti KLD nuk ka bërë asnjë hap, por ka lejuar që këta gjyqtarë të promovohen padrejtësisht.

Advertisement