Tiranë | METE konferencë për privatizimin e 4 HEC-eve

mete

Zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj dhe Martin Sobek, përfaqësues i kompanisë konsulente IFC, e cila ka përpiluar dokumentacionin dhe proçesin e privatizimit të 4 hidrocentraleve, prezantuan sot në një konferencë për median proçedurat që do të shoqërojnë këtë proces. “Në mbështetje të proçedurës, parashikohet që sot, deri në orën 14:00 të paraqiten ofertat në sekretariatin e ngritur për këtë qëllim në ministri për HEC-et Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Ky proçes është i ndërtuar në një mënyrë që parashikon që në ditën e sotme, deri në orën 14:00 të gjithë ofertuesit e interesuar të paraqesin ofertat e tyre pranë Sekretariatit të ministrisë së Ekonomisë”, tha Dervishaj. Ai shtoi se e njejta proçedurë do të ndiqet edhe për dy HEC-et e tjera: Ulëz dhe Shkopet në datën 13 shtator. “Në datën 13 shtator, ora 14:00 në të njëjtën procedurë kompanitë e interesuara për privatizimin e dy HEC-eve të tjerë, Ulëz e Shkopet duhet të paraqesin ofertat e tyre”, tha Dervishaj. Zv/ministri i Ekonomisë sqaroi proçedurat në vijim, ku pritet të hapen para mediave ofertat e paraqitura nga kompanitë për privatizimin e të 4 HEC-eve. “Brenda afateve që ka parashikuar procedura, në datën 14 Shtator, në ora 9:00 do të nisë hapja e ofertave për privatizimin e dy HEC-eve Bistrica 1 dhe Bistrica 2. E njëjta procedurë do të zhvillohet në datën 14 shtator, por në ora 14:00 edhe për dy HEC-et Ulëz dhe Shkopet, ku do të hapen ofertat e paraqitura në datën 13 shtator”, tha Dervishaj. Në konferencën për mediat, sot nuk u bënë të ditur emrat e kompanive që dorëzuan në orën 14:00 ofertat për HEC-et mbi lumin Bistrica, por zv/ministri i METE-s, Sokol Dervishaj dha sqarimet. “Kjo bëhet për shkak të kompleksitetit të këtij procesi dhe për të ruajtur konfidencialitetin. Duke qënë se në garë janë grupime kompanish të interesuara për të dy procedurat dhe për shkak të një sygjerimi të fortë nga konsulenti IFC, nuk i bëjmë të ditur sot as emrat e kompanive ofertuese, as numrin e paraqitur”, tha ai. Dervishaj shtoi se “Kjo është procedura e parashikuar në rregullat e tenderit dhe në rregulloren e procesit dhe është sugjeruar dhe nga konsulenti IFC”.