“Sot Gjykata e Lartë në mënyrë unanime bëri të qartë dhe konfirmoi jo thjesht pafajësinë e Ilir Metës, por konfirmoi se në këtë vend, e drejta do të fitojë gjithmonë mbi padrejtësinë dhe se e vërteta do të fitojë mbi mashtrimin, montimin, dhe fabrikimin. Vendimi i sotëm konfirmoi se në këtë vend vlerat morale do të fitojnë mbi poshtërsinë dhe pamoralësinë”, deklaroi nga selia e LSI-së, kreu i saj, Ilir Meta. Meta rikonfirmoi besimin e tij të plotë tek drejtësia shqiptare dhe ligji në vend. Ai nënvizoi se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte një grusht i rëndë ndaj krimit të organizuar, i cili plot një vit më parë, sipas tij, “dënoi me vdekje” Ilir Metën dhe LSI-në. Meta deklaroi se sakrifica e tij, për t’u mbrojtur ndaj akuzave për korrupsion aktiv si qytetar i thjeshtë, ia vlejti. “Ilir Meta dhe LSI gjatë këtij viti kanë patur jo pak shqetësime, kanë qenë nën një trysni sulmesh nga krimi i organizuar, por kjo sakrificë ia vlejti për një standard të ri në politikën shqiptare, për t’u përballur me akuza qofshin ato mbi manipulime monstruoze, si një qytetar i thjeshtë”, theksoi Meta. Sipas tij, ata që e akuzuan me të padrejtë një vit më parë, duke shënjestruar këtu ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti dhe ata që e përkrahën, kishin si qëllim të merrnin peng jo vetëm Ilir Metën, por edhe institucione të tjera të vendit. Kreu i LSI-së ripërsëriti se u arrit ajo që kërkojnë edhe ndërkombëtarët, çmontimi i krimit të organizuar në vend.