Një deklaratë të tillë, ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e bëri në fjalimin e tij të mbajtur gjatë konferencës “Regjimi pa viza për Shqipërinë, hapat e fundit”. Sipas tij, çështja e vizave është mjaft e prekshme për Shqipërinë, e cila ka qenë më e privuara nga liria e lëvizjes krahasuar me vendet e tjera të rajonit, siç ato të ish-bllokut jugosllav, disa prej të cilave tashmë kanë përfituar nga liberalizimi i vizave me BE-në. “Në frymën e Samitit të Selanikut, nisi aplikimi i dialogut për liberalizimin e vizave, që në vitin 2003, të cilat përmbanin kushtet edhe në udhërrëfyesin përkatës që përmbante 4 pika kryesore”, bëri me dijeni ai. Duke konkretizuar arritjet për secilin bllok kërkesash për heqjen e vizave, ai tha se që nga kjo periudhë ka patur një punë të jashtëzakonshme që vijon me planin e strategjive dhe zbatimin e tyre, të cilat reflektohen edhe në raportin që i është paraqitur Komisionit Evropian. “Blloku i parë është siguria e dokumenteve, për të cilin ka një progres të madh për pasaportat biometrike të shpërndara”, tha ai. Ndërsa për atë që e cilësoi si “prioritet të prioriteteve”, menaxhimin e kufijve, Meta tha se qeveria ka hartuar një plan veprimi që do të shërbejë për një menaxhim më efikas të tyre. “Kurse blloku i tretë është rendi publik dhe siguria, ku vend kryesor për zbatimin e tij ka zënë lufta ndaj krimit të organizuar”, tha ai. Në fund, Meta, duke përmendur edhe kushtin tjetër të vënë nga Bashkimi Evropian, atë të marrdhënieve ndërinstitucionale tha se është duke punuar duke e cilësuar heqjen e vizave si prioritetin kryesor të qeverisë.