“Theksoj rëndësinë e thellimit të dialogut mes aktorëve parlamentarë dhe jashtë parlamentit, me qëllim kryesor përmbushjen e disa objektivave të rëndësishme dhe imediate që u parashtruan dhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Fyle në vizitën e fundit në Tiranë, dhe të cilat i kemi nënvizuar si prioritete afatshkurtëra, të domosdoshme për t’u përmbushur si: reforma zgjedhore, ajo parlamentare, zgjidhja e çështjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë. Të treja këto, duhen përmbyllur para se të nisim me procedurat zyrtare për zgjedhjen e Presidentit të ri, proces për të cilin jemi shprehur qartë se duhet të jetë kushtetues e konstruktiv, në mënyrë që Shqipëria ta marrë me çdo kusht dhe me çdo çmim, statusin e vendit kandidat, brenda këtij vit”, tha Meta. “Takimi ishte konstruktiv dhe ne besojmë se ky dialog të vijojë me intensitet mes gjithë aktorëve parlamentarë dhe unë e kam theksuar edhe më parë se është i rëndësishëm dhe një takim i nivelit të lartë PD-PS”, u shpreh kryetari i LSI-së. Ndonëse, sipas tij takimi ishte i lidhur me presidentin ai nënvizoi se ajo që është më e rëndësishme këtë vit, nuk është zgjedhja e një presidenti, por sa pozitivisht kjo duhet të ndikojë që reformat të vazhdojnë, dhe pasi të zgjidhet presidenti i ri, vendi të marrë statusin e kandidatit.