“Dialogu dhe negociatat duhet të ecin më shpejt në mënyrë sa më të hapur dhe konstruktive, duke pasur në konsideratë që ditën e mërkurë duhet të zhvillohet raundi i parë dhe në këtë drejtim theksoj, duhen konsumuar të gjitha përpjekjet pozitive për të arritur një zgjidhje të shpejtë e të plotë që në raundin e parë, pra me një shumicë më të gjerë se sa maxhoranca aktuale”, theksoi Meta, gjatë një konference për shtyp në selinë e LSI-së. Ai theksoi se qëndrimi i LSI-së ka qënë i hapur e parimor, ndërsa vlerësoi dhe angazhimet e forcave të tjera politike që dëshirojnë të kontribuojnë për një zgjidhje që me raundin e parë. “Ne jemi të gatshëm të paraqesim edhe emrat tanë dhe të respektojmë edhe emrat e paraqitura nga PD, por edhe nga opozita, që mishërojnë disa parime të rëndësishme. Me rëndësi është që të ketë vullnet për të shkuar për një emër që të jetë një partner i besueshëm për qeverinë, për opozitën dhe që ofron bashkëpunimin për të gjitha institucionet, dhe Shqipëria ka emra shumë të mirë. Në këtë drejtim ne jemi të gatshëm të diskutojmë për parime, por edhe për emrat”, nënvizoi Meta. I pyetur për programin prej katër pikash të propozuara nga PS-ja në tryezën e djeshme, Meta theksoi se fillimisht duhet të zgjidhet çështja e presidentit dhe më pas të diskutohet dhe për çështjet e tjera.