Tiranë | Meta-Petrovic: Forcim të bashkëjetesës etnike në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u takua me zv/kryeministrin e Kosovës, Sllobodan Petroviç, që kryeson një delegacion përfaqësuesish parlamentarë të pakicave të Kosovës.

Dy zyrtarët diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit të pakicave në jetën institucionale të Kosovës, mbi të ardhmen euro-atlantike të saj dhe mbi bashkëpunimin rajonal. Meta shprehu bindjen se forcimi i bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë është mjaft i rëndësishëm për një bashkëpunim dhe integrim rajonal më të shpejtë dhe më të suksesshëm. “Unë besoj se jemi duke ecur në rrugën e duhur, e cila është rruga e aplikimit të standardeve evropiane për minoritetet dhe pakicat në çdo vend të rajonit tonë.”, theksoi kryetari i Kuvendit, Meta. Kryetari i Kuvendit, sërish i ka bërë thirrje opozitës së djathtë që të reflektojë dhe të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale. Ai theksoi se maxhoranca ka dëshmuar “një durim të hekurt për ta përfshirë opozitën maksimalisht në proces”. Nga ana e tj zv/kryeministri Petroviç falenderoi për të gjitha ato që janë bërë vitet e fundit për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë. “Roli i Republikës se Shqipërisë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Ne i gëzohemi çdo suksesi tuajin. Ne jemi në një rrugëtim të përbashkët drejt integrimeve euroatlantike dhe ju falënderoj për të gjitha ato që do të na ndihmoni në këtë rrugëtim të përbashkët”, tha zv/kryeministri Petroviç.

Advertisement