Tiranë | Meta me protestuesit për armët kimike: asnjë vendim pa vullnetin tuaj

“Nuk do të merret asnjë vendim pa u dëgjuar zëri juaj, asnjë vendim pa vullnetin tuaj”, u tha protestuesve, të cilët janë kundër sjelljes së armëve kimike siriane në vendin tonë, Kryetari i Kuvenedit, Ilir Meta, pak para se të fillonte seanca parlamentare. Kreu i Kuvendit iu bashkua protestës për pak çaste, duke i siguruar qytetarët se sa i takon çështjes së armëve kimike siriane çdo vendim që do të merret do të bëhet duke dëgjuar edhe zërin e qytetarëve. “Ju siguroj që ky është parlamenti juaj dhe kjo është qeveria juaj dhe asnjë vendim nuk është marrë dhe nuk do të merret pa dëgjuar zërin tuaj dhe të gjithë qytetarëve shqiptare, prandaj duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së ambientalistit Sazan Gurit dhe gjithë përfaqësuesve të shoqërisë civile, erdha këtu duke ndjerë shqetësimin tuaj”, theksoi Meta. “Mendoj se ka mjaft spekullime dhe kjo është një çështje që po instrumentalizohet nga disa politikanë. Shqetësimin e ambientalistëve e mirëkuptoj, por jo disa politikanë që akoma nuk janë çarmatosur vetë dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim për të gjithë ato probleme që i kanë shkaktuar mjedisit në të kaluarën. Nuk ka asnjë vendim, kjo është bërë e qartë nga të gjithë ne”, deklaroi Meta, ndërsa u mbylli fjalën duke i siguruar protestuesit se “do të mbetemi gjithmonë në krahun tuaj dhe absolutisht që duhet të jeni të sigurt që ky parlament dhe kjo qeveri nuk mund të jetë asnjëherë kundër vullnetit tuaj”. Protesta ka nisur mëngjesin e sotëm në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë, ku aktualisht po zhvillohet seanca e radhës parlamentare. Kjo protestë është organizuar nga shoqëria civile dhe pjesë e saj janë bërë studentë e gjimnazistë nga Tirana.

Advertisement