Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e ka cilësuar marrjen e statusit të vendit kandidat si e kaluara, ndërsa ka theksuar se tashmë duhet të shohim nga e ardhmja.
Sipas kreut të Kuvendit, marrja e statusit të vendit kandidat është arritje për Shqipërinë dhe rajonin, drejt destinacionit në BE. Meta theksoi gjithashtu se, statusi është një sinjal i lëvizjes në drejtimin e duhur në përpjekjet në harmoni e përputhje me standaredet evropiane. Kjo, vijoi ai, “është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë, shoqërinë tonë, por edhe gjithë rajonin, në rrugëtimin tonë të mundimshëm drejt destinacionit final, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”. “Është një sinjal i qartë i lëvizjes në drejtimin e duhur në përpjekjet shumëvjeçare të shndërrimit të vendit në një shoqëri evropiane, në harmoni dhe në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh kreu i Kuvendit. “Por tashmë marrja e statusit është e kaluara. Tani duhet të shohim drejt të ardhmes bazuar mbi këtë sukses të rëndësishëm që u arrit sot. Ajo që dje dukej e vështirë dhe e pamundur, sot jo vetëm që është një mundësi, por është edhe një detyrim për të ecur në mënyrë të pandalshme drejt reformave dhe krijimit të kushteve për hapjen e negociatave”, u shpreh Meta. “Pikërisht e nesërmja jonë është puna për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe ky është një vendim që në radhë të parë duhet të merret dhe do të merret në Tiranë”, tha Meta. “Ai vendim merret në Tiranë, në përditshmërinë e gjithësecilit prej nesh kur të gjithë të sillemi dhe të punojmë më shumë si evropianë, në politikëbërje, në bashkëpunim dhe debat, në gjithëpërfshirje, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të qytetarëve, në garantimin e drejtësisë së standardeve evropiane, të pavarur dhe jashtë ndikimit politik, në rivendosjen e plotë të ligjit dhe çdo aspekt të jetës sonë ashtu sikurse ndodhi edhe ditët e fundit edhe në zonën e Lazaratit dhe në shëndoshjen e shëndetësisë e të arsimit, por edhe të infrastrukturës”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Por, shtoi Meta, “unë do të doja të ndaja dhe një ndjesë të fortë ndaj qytetarit shqiptar duke mos folur për suksesin e politikës lokale dhe natyrisht është një moment reflektimi, pasi pritshmëritë e tyre kanë qenë për të arritur këtë sukses edhe më herët”. “Procesi i integrimit evropian duhet të në bashkojë si asnjëherë tjetër si një objektiv kombëtar dhe për të cilin, nuk duhet të ketë më diferencë partiake. Këtë gjë nuk e kemi bërë si duhet dhe sa duhet deri më sot, por shpresojmë shumë që ta bëjmë më mirë duke nisur nga nesër”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.