Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua me studentë nga e gjithë Shqipëria në sallën e seancave plenare, të cilët u njohën me rolin dhe funksionimin e parlamentit. Duke nënvizur rëndësinë e rolit të të rinjve në një vend demokratik, kryeparlamentari tha se angazhimi i tyre po bëhet përcaktues për të ardhmen e vendit. I pranishëm në këtë takim, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig vlerësoi punën e të rinjve lidhur me esetë me temë “Ç’është demokracia për mua?”. “Është diçka e rëndësishme që ne po thërrasim qytetarët e rinj që të marrin pjesë në jetën demokratike dhe të njohin institucionet nga afër, të njohin thelbin e demokracisë”, u shpreh Raunig. Z. Meta i njohu të rinjtë me rëndësinë e këtij tempulli të demokracisë, ku takohen të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar, ndërsa theksoi se ky institucion kyç ku duhet ngritur në një standard të ri në funksionimin e tij. Duke vlerësuar zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat ishin një demonstrim i qartë i pjekurisë dhe kulturës sonë europiane, z. Meta tha se Shqipëria ka marrë një rekomandim pozitiv nga KE dhe një mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat. “Shpresojmë që në një të ardhme të shpejtë të hedhim një hap tjetër drejt Evropës së Bashkuar, sepse përkatësia jonë është europiane, historikisht, pavarësisht nga tragjeditë që nuk na kanë munguar dhe nga ndërprerjet dhe izolimet e pa merituara” . Z. Meta bashkëbisedoi me të rinjtë për tema të ndryshme, si roli dhe funksioni i parlamentit, kodi zgjedhor, çështja rome, arsimi, anëtarësimi në BE, armët kimike, etj. Në fund të takimit të rinjtë i dhuruan kryetarit të Kuvendit një përmbledhje të eseve të tyre më të mira.