Tiranë – Meta akuza ndaj Priftit: e kemi toleruar për lajthitjet e tij

Tuesday, December 16, 2025

“Dritan Prifti më përcolli ofertën e Ramës për të bërë puç parlamentar, që unë të bëhesha kryeministër dhe ai të kthehej në ministrinë e Ekonomisë”, ishte një nga faktet që nxori në dritë Meta gjatë prononcimit të tij për mediat, duke kundërshtuar të gjitha ato ç’ka Prifti ka thënë në lidhje me LSI-në dhe akuzat për korrupsion e kontrabandë të qeveritarëve. “Prifti jo vetëm ka abuzuar duke bërë shantazhe ndaj kryetarit të LSI-së në mënyrë që të mos largohej nga posti i ministrit, të cilin e kishte për shkak të LSI-së, por vazhdimisht po hynte në makinacione të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me forcën tonë politike”, tha mes të tjerash kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke shtuar edhe faktin se tragjedia e vdekjes së gjyshes së ish-ministrit Dritan Prifti, ka qenë një shantazh për të përfituar nga situata pas shkarkimit që i bëri Kryesia e LSI-së, pasi siç tha Meta “Prifti e ka ditur që prej 6 muajsh shkarkimin e tij nga posti”. “Tragjedia e gjyshes ishte një shantazh”, deklaroi hapur zv/kryeministri Ilir Meta. Duke thënë në fund se ai ka patur miqësi me Priftin dhe i vjen keq nga të gjitha deklaratat që ai ka lëshuar së fundmi, pas shkarkimit të tij nga posti i ministrit të Ekonomisë. “I kam qëndruar pranë edhe si prind, për arsye edhe të situatave të rënda shëndetësore që ai ka kaluar në të kaluarën. Por gjuha e përsëritur e shantazhit prej tij është tërësisht e papranueshme”, ka thënë mes të tjerash ai. “Prifti e ka të qartë rrugën e tij, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka të pandryshuar rrugën e saj”, përfundoi Meta.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -