Ndryshe nga java e kaluar, këtë herë Partia Socialiste nuk mori pjesë. Përfaqësuesi demokrat, Ilir Rusmali, duke theksuar se demokratët po shqyrtojnë propozimin e Partisë Socialiste, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithëve në këtë proces. “Kjo tryezë është për të gjithë, pavarësisht nga rrethanat konkrete. Jemi të vetëdijshëm për problemet që kemi dhe jemi në rrugën e ushtrimit të të gjitha mundësive dhe mjeteve për të bërë që Partia Socialiste të jetë pjesë e reformave dhe jo kundërshtuese e tyre”, u shpreh Rusmali. Përfaqësia e OSBE-së, e cila do të ndihmojë tryezën për të kthyer në amendamente rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kërkoi vullnetin e të gjithëve për të cuar procesin përpara. “Tani është koha që të gjitha partitë politike të vendosin të parin interesin kombëtar dhe të përmbushin detyrat e tyre. Dhe kjo theksohet, sepse raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se partitë politike duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjëshme për interesin e përgjithshëm të vendit”, u shpreh Hartmuth Purner Tryeza e ekspertëve politikë dhe e shoqërisë civile ngarkoi ish kreun e KQZ-së Kristaq Kume, pjesë e shoqërisë civile, të jetë koordinator mes të gjithë aktorëve për të mbledhur, seleksionuar dhe për t’i paraqitur tryezës një material konkret me propozim për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.


