Tiranë – Mbërrin sot trupi i Panajot Panos

Ai u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 71-vjeçare, pas një infarkti ndërsa gjendej për një vizitë tek vajza e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dita e vdekjes së tij u shoqërua me një dhimbje të thellë nga sportdashësit dhe në tërësi nga gjithë shqiptarët, të cilët e kanë respektuar për dekada me radhë veprën e njeriut që lartësoi futbollin tonë. Ndërkaq, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, të komunikuar nga vetë kryeministri Berisha gjatë një mbledhje qeverie, dita e ceremonialit të përcjelljes së Panos për në banesën e fundit do të shpallet zi kombëtare. “Atë ditë të gjithë flamujt në institucione do të ulen në gjysmë shtizë, RTVSH do të transmetojë muzikë funebre ndërsa do të mbahet edhe një minutë heshtje”, ka qenë komunikimi i bërë prej Berishës lidhur me një fakt të tillë. Nga ana tjetër, po me vendim qeverie, bëhet me dijeni se shpenzimet për transportimin e trupit dhe ceremoninë e varrimit do të paguhen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Advertisement