Komisioni Europian pritet sot të dërgojë në Tiranë përfaqësuesit e parë që do të monitorojnë përmbushjet e standarteve nga pala shqiptare për liberalizimin e vizave. Delegacioni do të qëndrojë deri në fund të muajit, kohë kur dhe do të përmbyllet faza e monitorimit që do t’i bëhet Shqipërisë sa i takon përmbushjes së standardeve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Gjithcka që bën pjesë në monitorim do të jetë larg kamerave të gazetarëve. Monitoruesit e KE-së vijnë në Shqipëri pas dorëzimit të raportit nga qeveria shqiptare në muajin janar. Grupet do të jenë të alternuara mbi bazën e tematikave të vecanta që do të monitorohen e kontrollohen. Ata do të zhvillojnë mbi 100 takime në disa prej institucioneve kryesore në vend, mes tyre me funksionarë të qeverisë, të Kuvendit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Integrimit. Një tjetër element kyc i këtij procesi është edhe vëzhgimi nga afër i pikave kufitare dhe doganore në Shqipëri. Pala shqiptare është e detyruar nga ana e saj që të plotësojë çdo kërkesë të përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe të hapë dyert e të gjitha institucioneve që kanë lidhje me standartet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave. Në fund të muajit mars, kur dhe përfundon procesi i monitorimit, të derguarit do të hartojnë një raport përmbledhës për fazën në të cilën ndodhet Shqipëria në përmbushjen e standardeve.