Tiranë – Manjani, qeveria ka thelluar problemin e pronave

“Konstatojmë me shqetësim se Sali Berisha dhe qeveria e tij, jo vetëm nuk zgjidhën çështjen e pronave, por thelluan problemet që lidhen me këtë çështje. Sot cështja e pronave është gjithnjë e më e pazgjidhur sesa 4 vite më parë dhe me kosto të shtuara që qeveria ja faturon padrejtësisht shumicës së shqiptarëve” u shpreh Manjani. “Sot, sipas Transparency International mbi 60% të ankesave zyrtare për korrupsion dhe abuzim me ligjin bëhen për shkak të pronës. Po sipas kësaj organizate, legjislacioni i Sali Berishës për çështjen e pronave është paqartë, i paplotë dhe abuziv. Pra, as ligje e vendime nuk bëri dot Sali Berisha e jo më t’u kthente pronën shqiptarëve, pronë të cilën jua premtoi vetë” shtoi me tej Ylli Manjani. Sipas tij Sali Berisha, megjithëse i rrëmbeu dhunshëm kompetencën gjykatave, duke lejuar Zyrat e Regjistrimit të saktësonin kufijtë e pronave, nuk zgjidhi asnjë konflikt por përkundrazi shtoi konfuzionin dhe abuzimin me të drejtën e pronës në vend. Manjani shtoi se “është kjo arsyeja që shumica e fermerëve sot në gjithë Shqipërinë nuk e posedojnë dokumentin zyrtar të Regjistrimit të tokës bujqësore të përfituar sipas ligjit 7501”. “PS shpreh edhe njëherë besimin se zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës do ti takojë qeverisjes së saj të pas zgjedhjeve. Në vizionin tonë zgjidhja e kësaj çështje ka rëndësi kombëtare dhe strategjike. PS e sheh zgjidhjen e kësaj çështje nëpërmjet harmonizimit të interesave të pronarëve me ato të të gjithë shqiptarëve. Në këtë funksion dialogu social dhe qeverisja konsensuale e shqiptarëve të pas 28 Qershorit do ta zgjidhë këtë çështje përfundimisht.” përfundoi Manjani.

Advertisement