Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve u mblodh në një seancë dëgjimore me deputetin e PS-së Fidel Ylli për të cilin 16 deputetë të PD-së kanë kërkuar heqjen e mandatit. Ylli, në fjalën e tij e konsideroj akuzën e kolegëve të tij në parlament si, zhurmë, për të njollosur figurën e tij. “Kam 20 vjet në biznes dhe kam zbatuar me rigorozitet çdo ligj dhe jam përpjekur të realizoj pasurin time në përputhje të plotë me rregullat e tregut, prandaj ajo që po bëni ju sot është një “gjueti Shtrigash”, për të njollosur figurën time”, u shpreh Deputeti i Partisë Socialiste. Sipas Yllit, për këtë çështje, ka edhe një vendim gjykate, që thotë se ai nuk ka asnjë konflikt interesi. “Unë kam pasur një licencë radio lokale që në vitin 2003 për një pjesë të Tiranës dhe Durrësit. Në 2009-ën, në maj më ka ardhur një shkresë nga Edlira Bushati që më njofton se duhet të rinovoja licencën, dhe në bazë të rregullores së ligjit për median, në maj kam plotësuar dosjen dhe ja kam çuar zyrës përkatëse për të më rinovuar licencës.”, sqaroi Ylli. Ai, tha se “sipas ligjit të medias zonja Bushati, kishte 3 muaj kohë, pa u bërë unë deputet, që të më njoftonte, nëse më takonte apo jo rinovimi i licencës. Institucioni e injoroi kërkesën time dhe jashtë çdo rregulli më kthen përgjigjie më 28 dhjetor 2009, dhe më thotë se ju tashmë jeni bërë deputet dhe keni konflikt interesi.”, theksoi Deputeti i PS. “Unë, tha Ylli, i kam dërguar shkresë kuvendit dhe ILDKP, dhe pas një jave Adriatik Llalla i kthen përgjigjie institucionit, shprehet dhe thotë se nuk jemi në konflikt interesi. Unë, sqaron Ylli, i drejtohem gjykatës mbi bazën e shkresës së ILDKP-së dhe fitoj dy shkallë. Më pas i’a shita motrës, sipas këshillës që më dha zyra ime e avokatisë, vajta në QKR dhe e regjistrova.Por, motrës time nuk ja japin licencën, pse nuk ja japin? Radio në momentin kur jam bërë deputet nuk kam marrë licencë, e kam pas kërkesën e mbartur dhe jam në pritje nëse me takon apo jo”, tha Ylli. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi sqarime nga Ylli, nëse ka qenë në pronësi të një pasuri publike siç janë frekuencat, në kohën kur mori mandatin e deputetit në vitin 2009. Topalli rikujtoi se rasti i Yllit nuk është precedenti i parë me deputetët socialistë, pasi sipas saj edhe Ilir Beqja është akuzuar për konflikt interesi. Në të njëjtën linjë u shprehën dhe deputetët e tjerë të partisë Demokratike, Ilir Rusmaili dhe Edi Paloka, të cilët shtruan një sërë pyetjesh lidhur me shoqërin në pronësi të Deputetit Fidel Ylli, që sipas deklarimit të bërë prej tij, ka prodhuar një divident prej 700 mijë euro. Sipas Deputetëve të Partisë Demokratike, “shoqëria “House of Arts”, në pronësi 100% të Deputetit Fidel Ylli ka në përbërje të saj disa biznese mes të cilave dhe Radjo, çka bie në kundërshtim me tezën e deputetit të PS, i cili deklaronte se ja kishte kaluar të drejtat e pronësisë së këtij biznesi motrës së tij.” Pas shumë debateve, Jozefina Topalli, Kreytare e Kuvendit të Shqipërisë deklaroi të mbyllur seancën, ndërsa i la të hapur derën deputetit të Parstisë Socialiste, Fidel Yllit dhe deputetëve të tjerë, që në rast paqartësie apo nevoje për të plotësuar pasqyrën e informacionit lidhur me çështjen të realizohen takime të tjera, përpara se çështja të kaloj për votim në seancë plenare. Akuza, që deputetët e partisë Demokratike kanë ngritur ndaj deputetit Yllit është shkelja e nenit 70-të të Kushtetutës, pasi në dhjetor të 2009-ës, kur ai kishte disa muaj qe ishte shpallur deputet, kishte në pronësi një radio lokale, frekuencat e së cilë janë pronësi publike.