Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të vlerësojë nëse mandati i deputetit Beqja është në përputhje me Kushtetutën e vendit. Por, ndërsa votimi u bë i hapur dhe 70 votat pro vendosën dërgimin e kërkesës në Kushtetuese kundër 67 votave kundër, socialistët kanë protestuar pas votimit. Një moment përpara se kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli të hapte procedurën e votimit për mandatin e Beqjas, kreu i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kërkoi që votimi të bëhej i fshehtë, një kërkesë kjo e pa marrë parasysh nga zonja Topalli e cila hapi votimin elektronik në sallë. Në replikat e tyre për imunitetin e deputetit socialist Ilir Beqja, deputetët e pozitës dhe opozitës kanë patur debate të ashpra. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi e cilësoi rastin e deputetit Beqja si një rast unik, duke e quajtur atë si një modet të Ramës, i cili nuk ndëshkohet. Për këtë shkak Halimi ka përsëritur në fjalën e tij se deputeti Beqja duhet të jetë larg Parlamentit, duke vërjetur se ai i ka vënë në vështirësi edhe kolegët e tij për përfitimet që pati nga Bashkia e Durrësit pikërisht duke shkelur Kushtetutën dhe mandatin e tij të deputetit. Në një replikë ndaj deputetit të mazhorancës, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj deklaroi se sulmi ndaj Beqjas është një sulm ndaj opozitës shqiptare. Vetë deputeti Beqja në fjalën e tij sot në Kuvend theksoi se nuk e ka shkelur betimin e deputetit dhe po kështu edhe kushtetutën.


