Tiranë | Mandatet do të ndahen nga Kuvendi, ndarja si në vitin 2009

alt

Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e deputetit Edi Paloka për ruajtjen e mandateve të vitit 2009. Opozita kundërshtoi me argumentin se ndarja e mandateve është kompetencë e KQZ-së dhe jo e Kuvendit. Ndërkohë sipas deputetit socialist Gjiknuri, me këtë vendimmarrje të komisionit, zgjedhjet janë automatikisht të paligjshme. “Me këtë vendimmarrje që po bëni, me këtë njëanshmëri po i jepni që në fillim njollën këtyre zgjedhjeve. Kuvendi po luan si kasap politik për interesa të njërës palë.” u shpreh Gjiknuri. Sipas relatorit Edi Paloka, “është detyrim i parlamentit të bëjë ndarjen e mandateve. KQZ, pjesa e opozitës, nuk ka pranuar ta bëjë këtë detyrë. Unë kam propozuar të marrim për bazë mandatet e vitit 2009 dhe të ecim me këtë ndarje.” Në mbledhjen e komisionit kanë marrë pjesë edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së. Kryetarja e KQZ-së Lefterije Lleshi dha sqarime në lidhje me shkresën që administrata e Komisionit Qendror i ka dërguar Kuvendit në kushtet kur ndarja e mandateve nuk u votua në KQZ. Lleshi nënvizoi se kjo nuk është hera e parë që administrata e KQZ-së komunikon përmes letrave me parlamentin. Nga ana tjetër, nënkryetari i KQZ, Denar Biba theksoi se parlamenti nuk mund të pranojë të vihet në lëvizje nga një shkresë që siç tha ai, nuk mban firmën as të kryetares as të nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas relatorit të projektvendimit, Edi Paloka, në kushtet kur tre anëtarë të KQZ-së nuk votuan dhe nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej pesë votash për miratimin e vendimit, aktin tani duhet ta miratojë Kuvendi. Por, për nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, nëse Parlamenti do ta miratojë këtë vendim, shënon një goditje të rëndë për procesin zgjedhor.

Advertisement