Tiranë | Malaj: PS të thellojë modernizmin e saj

Kandidati i pavarur në Qarkun e Vlorës, Arben Malaj, ka uruar kolegët e tij socialistë me rastin e 22- vjetorit të Partisë Socialiste. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Malaj duke vlerësuar kontributin e PS-së gjatë periudhës së tranzicionit, shpreh mirënjohjen e thellë ngaj kolegëve socialistë. “Të dashur anëtarë të PS-së, Gëzuar festën! Urimet më të mira në këtë përvjetor të Partisë Socialiste! Partia Socialiste ka kontribute të jashtëzakonshme në tranzicionin e vështirë të vendit tonë. Gjej rastin të shpreh me përulje mirënjohjen më të thellë ndaj socialistëve dhe kolegëve, me të cilët, së bashku themeluam degën e Partinë Socialiste në Vlorë. Ndjehem krenar për besimin që socialistët vlonjatë më dhanë në disa mandate përfaqësimi, duke ju shërbyer me shumë dashuri, përkushtim dhe përgjegjësi. Detyrimi im mirënjohës ndaj socialistëve do të jetë i përhershëm dhe i pa kushtëzuar”, thuhet në urimin e Malaj. Ndërkohë, Malaj duke uruar fitoren e socialistëve nënvizon se PS për t’u shërbyer sa më mirë prioriteteve të vendit, duhet të thellojë demokracinë dhe modernizmin e saj. “Partia Socialiste, për t’u shërbyer sa më mirë prioriteteve të vendit, duhet të thellojë demokracinë dhe modernizmin e saj, duhet të mbështetet më mirë tek anëtarësia e saj, duke e kufizuar përqëndrimin e pushtetit në pak individë. Të gjithë shqiptarët meritojnë më shumë liri e demokraci, meritojnë punësim dhe mirëqënie më të madhe, meritojnë më shumë mundësi reale për një të ardhme më të mirë. Ky duhet të jetë misioni i përhershëm i Partisë Socialiste. Suksese dhe urime për fitoren e përbashkët të 23 Qershorit! Miqësisht, Arbeni”, përfundon urimin e tij Malaj.

Advertisement