Një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Socialiste, Arben Malaj është lënë jashtë listës së kandidatëve të PS-së për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Teksa doli nga mbledhja e kryesisë së PS-së, ku iu komunikua vendimi për të mos e përfshirë në lista, Malaj bëri të ditur se do të kandidojë i pavarur në qarkun e Vlorës. Malaj theksoi se vendimi që e la jashtë listës së PS-së ishte tërësisht individual i kryetarit Edi Rama. “Ky nuk është fundi i karrierës sime. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit politikë të qarkut të Vlorës. Nuk kam asnjë problem individual me Ramën. E kam ditur që në momentet e para që lufta që kam bërë për të mos ndryshuar Kushtetutën në mënyrë arrogante, e kam ditur që kur i kam kërkuar PS-së të mos bllokonte funksionimin e Kuvendit. Kur kam nisur një proces për modernizimin e PS, e kam ditur që do kem një çmim për këtë. Nuk më zhduk dot asnjeri nga politika. Vendimi është individual i Ramës. Unë nuk mund të tërhiqem nga detyrimi për t’i shërbyer vendit tim. Njëra nga këto është t’i shërbej si kandidat i pavarur”, tha Malaj. “Shumë nga ata që Rama i promovon me parafabrikat, nuk kanë asnjë angazhim dhe kontribut, por thjeshtë që janë të nënshkruar, kishin kohë që dilnin garant se do ta zhduknin Malajn nga politika” vijoi ai. Po ashtu jashtë listës së PS-së është lënë edhe një tjetër figurë e njohur e PS-së, Arben Isaraj. Ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano u shpreh i indinjuar mbi ‘largimin’ të z. Arben Malaj nga listat e kandidatëve të PS për deputetë. Nano vlerësoi se PS po largon vlerat dhe profesionistët, si me rastin Malaj e Islami. Kjo, tha ai, është dhe arsyeja që ai do të prishë armëpushimin me PS. “Malaj është më socialist se unë, më socialist se Edvin Rama dhe Koço Kokëdhima dhe i pavarur ose jo unë do jem në krye të fushatës së z.Malaj për të mbrojtur me gjithë zjarrminë vlerat dhe filamentet që do çojnë Shqipërinë në Europë. Neser në orën 12:00, me Malajn në konferencë shtypi”. Nano u shpreh se kuzhina e Ramës duhet t’i kishte bërë mirë llogaritë. Nga ana tjetër kryetari i PS, Rama theksoi se skuadra e përzgjedhur është gati të fitojë në çdo qark. “Jemi skuadër e PS, që do luftojmë në çdo qark për të fituar. Ju do keni në dispozicion emrat, nuk do lexoj listën e gjatë të emrave, por do nënvizoj pak gjëra. Tërthorazi, por pa e zënë në gojë emrin e Arben Malaj, Rama shtoi se shumë prej kandidatëve edhe pse nuk u përfshinë në lista, sot dëshmuan se tjetër bëjnë e tjetër thonë. “Duke pranuar madje në disa raste të përfshihen në pjesë jo drejtpërdrejt fituese dhe duke treguar se janë për atë që thonë dhe jo bëjnë, dhe siç është fatkeqësisht siç bëjnë në raste të tjera, që bëjnë e thonë tjetër gjë, për të qenë gjithçka, por jo të vërtetë. Dëshiroj të falenderoj dhe shpreh konsideratat më të larta të gjithë atyre që nuk ishin në grupin parlamentar dhe nuk u përfshinë në këtë skuadër. I pyetur rreth deklaratës së Nanos, Rama theksoi se kjo është hera e fundit që luhet me emrin e socialistëve.
Më poshtë emrat e deputetëve të cilët nuk u rikandiduan për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit nga partitë e mëdha.
ARBEN MALAJ, PS
ELISA SPIROPALI, PS
QEMAL MINXHOZI, PS
ARBEN ISARAJ, PS
ET’HEM RUKA, PS
MARK MARKU, PD
SELAMI XHEPA, PD
JEMIN GJANA, PD
ENKELEJD ALIBEAJ, PD
FATOS BEJA, PD