Majko sqaron se, “Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish Bashkimit Sovietik dhe Kaukazit. Për një politikan në karrierë si unë, pavarësisht moshës time të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtar. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij Zoti Ban Ki-Moon ai i cili do të përzgjedh kandidaturën më të përshtatshme”. Në vijim ai shton se vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste dhe të japë kontributin tij brenda Kryesisë së Partisë Socialiste.


