“Kemi disa funksionarë të LSI-së dhe brenda qeverisë, që shumë prej jush nuk i kanë takuar që nga zgjedhjet e 2009-s. Nuk duhet të presim që analizën e punës së tyre ta diskutojmë kur të vijnë zgjedhjet e ardhshme, por këtë gjë duhet ta bëjmë tani. Nëse nuk vijnë ata t’i thërrasim ne. Drejtorë që nuk e kanë parë derën e LSI-së që kur kanë marrë detyrën dhe që nuk bëjnë aktin më formal të respektimit ndaj statutit, nuk paguajnë kuotizacionin. Atëhere duhet të heshtim apo të bashkëjetojmë me këtë gjendje amorfe”, deklaroi Rama gjatë një takimi me të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim. Ai shtroi nevojën për t’i shpallur luftë konformizmit, të cilin e konsideroi një sëmundje që ka prekur dhe LSI-në. “Duhet ta shkundim LSI-në nga konformizmi. Ai nuk mund të bashkëjetojë me LSI-në. Konformizmi për të mos prishur qejf me kryetarin dhe drejtorin duhet të marrë fund në radhët kësaj partie, e cila lindi si model i antikonformizmit dhe si antitabu”, theksoi Rama. Duke u ndalur tek momenti i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ai theksoi se LSI, që t’i fitojë ato, duhet medomos të ridimensionojë rolin e saj. Ai iu referua motos qytetare të artikuluar nga ambasadori amerikan Arvizu “Vepro tani”, duke deklaruar se vetëm kështu LSI do të bëjë të mundur fitoren në zgjedhjet e ardhshme.