Aleanca Socialiste për Integrim do të përbëhet nga LSI, PSV 91, Partia e Gjelbërt, Partia e Emigrantëve, Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Partia e Komunitetit Rom dhe Egjyptian Toleranca e Re. Kreu i LSI, Ilir Meta theksoi se ky koalicion përfshin brënda tij vlerat e domosdoshme që kërkohen për integrimin e vëndit në Bashkimin Europian. “Nuk ka asgjë të keqe që Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorale. Kjo do të ishte shumë pak për vlerat që ne po mbrojmë”, u shpreh Meta. Sipas aleatit më të afërt Petro Koci të PSV 91, dalja e së majtës me dy koalicione do të ndikojë në fitoren e sigurt të saj në zgjedhjet e 28 qershorit “Përfaqësimi me dy koalicione të majta është një zgjedhje shumë e mëncur dhe fituese. Dua të garantoj se Aleanca do të jetë fituese dhe do të fitojë vlera të vërteta programore dhe qeverisëse. Do të jemi partnerët e politikës së premtimit të mbajtur”, u shpreh Koci. Aleanca Socialiste për Integrim është një koalicion i përbërë nga forca të reja politike tha lideri i saj, Ilir Meta, të cilat kanë lindur si pasojë e domosdoshmërisë për të kundërshtuar politikën e vjetër, që sipas tij kërkon të sundojë shqiptarët dhe jo t’i drejtojë ata në Bashkimin Europian.