Tiranë – LSI reagon ndaj akuzave të PS

Drejtori i informacionit në këtë seli, Dritan Ylli, bëri të ditur se “LSI hedh poshtë me neveri të gjitha insinuatat e Partisë Socialiste, që e lidhin Lëvizjen Socialiste për Integrim me ndikimin në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo të çdo lloj Komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet”. Sipas Yllit akuzat nuk qëndrojnë pasi LSI nuk ka patur asnjë komisioner në KQZ dhe shkaktar për këtë, përsëriti Ylli, ka qënë po PS. “PS duhet të ndjejë turp kur shprehet në këtë mënyrë, sepse edhe shqiptari më i fundit e di fare mirë se LSI nuk ka asnjë përfaqësues në asnjë Komision, ku merren vendimet për zgjedhjet dhe opinioni publik gjithashtu e di mirë se shkaku kryesor që LSI, nuk përfaqësohet në këto komisione është pikërisht kundërshtimi i egër i Partisë Socialiste”. LSI bën të ditur se po vazhdon procesin e dokumentimit dhe të evidentimit të parregullsive të procesit të administrimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit. “Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojë edhe me ankimimet përkatëse për të gjithë ato zona, ku ajo ka vërejtur parregullsi gjatë procesit të numërimi”, shton mes të tjerash Ylli duke bërë thirrje që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve të administrohet dhe analizohet me qetësi. “Ne bëjmë thirrje që rezultati i zgjedhjeve duhet të administrohet me qetësi, si dhe të analizohet me përgjegjshmëri qoftë mesazhi politik i këtyre zgjedhjeve, qoftë edhe standartet problematike të tyre”, deklaroi zëdhënësi Ylli.