Kreu i LSI, Ilir Meta, njoftoi ditën e djeshme tërheqjen e LSI-së nga koalicioni qeveritar dhe pranimin e ftesës së PS-së për një koalicion parazgjedhor. Duke vlerësuar bashkëpunimin me PD dhe kreun e saj, kryeministrin Sali Berisha këto 4 vjet, ku u garantuan jo vetëm stabiliteti i vendit, por dhe miratimi i disa reformave, Meta shtoi se “LSI ka përmbushur me korrektësi të gjitha pikat e marrëveshjes dhe sot e konsideron këtë marrëveshje të përfunduar”. LSI, tha Meta, “duke vlerësuar domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik dhe pushtetesh, që do të forconin stabilitetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të mëtejshëm të reformave, ka vendosur të pranojë ftesën e PS-së për koalicionin parazgjedhor me të”. Meta u shpreh se LSI do të tërhiqet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga çdo angazhim politik, duke u deklaruar si forcë politike në opozitë. Në kuadër të zhvillimeve politike të ditëve të fundit nga ana tjetër, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka takuar kreun e Partisë, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Duke ju përgjigjur interesimit nëse në takim ka pasur negociata, Rama u shpreh se kreun e PBDNJ e ka mik të kahershëm dhe me Dulen nuk ulet vetëm për negociata. Takimi vjen një ditë pasi kryeministri Sali Berisha la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me PBDNJ.