Tiranë | LSI për proces zgjedhor të rregullt dhe transparent

Lëvizja Socialiste për Integrim theksoi vendosmërinë e saj për të kontribuar për zgjidhjen e çështjes çame. Gjatë një konference për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se “qëndrimi i LSI-së pro zgjidhjes së çështjes çame është artikuluar prej kohësh nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta”. I pyetur në lidhje me konfigurimin e KQZ-së pas aleancës PS-LSI, Rama tha se “ky është një problem ligjor dhe Kushtetues”. “Ne do ti qëndrojmë asaj fryme të artikuluar në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga kryeministri Berisha, që Kushtetua i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe të gjitha aktet që normojnë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore”, tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së siguroi se, “LSI do të ecë më tej me përgjegjësinë për të realizuar një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe me standarde europiane, që edhe Shqipëria më në fund me zgjedhjet e 23 Qershorit të fitojë të ardhmen e vetë europiane, duke realizuar zgjedhje në përputhje me standardet europiane”. Lidhur me tërheqjen e përfaqësuesve të LSI-së nga administrata publike, pas koalicionit PS-LSI, Rama tha se, “ne kemi reflektuar duke tërhequr nga pozicionet politike përfaqësuesit e LSI-së, për t’i hapur rrugën ecurisë më tej të qeverisjes dhe konfigurimit real në përputhje me angazhimet e LSI-së si forcë politike në opozitë”.

Advertisement