Tiranë | LSI kërkon interpelancë me ministrin e Jashtëm Bushati për devijimin e lumit Radika

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi sot nje interpelancë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për të informuar parlamentin dhe opinionin publik, lidhur me problemin e devijimit të lumit të Radikës në Maqedoni. Në një konferencë për shtyp, kryetari i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, theksoi se “një grup deputetëtësh të LSI-së, Agron Çela, Luan Duzha , Pertit Vasili, Monika Kryemadhi, Silva Caka dhe Kejdi Mehmetaj kërkuan një interpelancë urgjente me ministrin Bushati për t’u informuar ne si përfaqësues të parlamentit shqiptar , por edhe opinioni i gjerë lidhur me problematikat tepër të rënda që lidhen me devijimin e lumit të Radikës në Maqedoni dhe tërë burimet, të cilat afektojnë drejtpërdrejt prurjet e tij dhe që ka lidhje të drejtpërdrejtë me reperkusionet në lumenjtë shqiptarë”. “Kjo interpelancë në këtë moment kaq të rëndësishëm vjen në vijim të shqetësimeve të thella të bëra publike dhe në media shqiptare nga deputeti Spahiu , të shqetësimeve të bëra prezentë në Kuvendin e Shqipërisë në komisionin parlamentar të Punëve të Jashtme dhe në mjaft takime me qytetarë të Dibrës”, tha Vasili. Nënkryetari i LSI-së, u shpreh se “mospasja e asnjë sinjali të ndryshimit të qëndrimit nga autoritetet maqedonase lidhur me këtë çështje, si dhe nga mungesa e shpjegimeve dhe informacioneve nga qeveria shqiptare lidhur me ndjekjen që ajo i ka bërë problemit apo me planin që ajo ka për ta ndjekur çështjen deri në fund grupi i deputetëve të LSI kërkoi këtë interpelancë urgjente”. “Arsyeja themelore, objektive e kërkesës së interpelancës lidhet me faktin se projekti i fushës së Lukovës është qartësisht në kundërshtim me të gjithë kornizn ekzistuese ndërkombëtare ligjore për çështjen e rrjedhave ujore dhe zonave ujëmbajtëse ndërkufitare dhe jo vetëmky projekt është në kundërshtim me marrëveshjen “Drini, një vizion i përbashkët”, i firmosur mes Shqipërisë , ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi në lidhje me basenin e Drinit në vitin 2011″, nënvizoi Vasili. Ai sqaroi se “në marrëveshjen “Drini një vizion i përbashkët strategjik” përcaktohet qartë që korniza ligjore për t’u zbatuar në kaskadën e Drinit është ajo europiane veçanërisht “EU ëater frameëork directive”, e parlamentit europian. Ky projekt bie ndesh me këtë direktivë në të cilën specifikohet se në rast kur ka efekte ndërkufitare zgjidhja duhet të jetë për të gjithë kaskadën me marrëveshje, pika 35 e këtij dokumenti”. Ky projekt, vijoi Vasili, ka një efket ndërkufitar të qartë dhe të diskutueshëm dhe në këtë marrëveshje përcaktohet se çdo ndërhyrje në menaxhimin e kaskadës duhet të jetë e kordinuar dhe aprovuar, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Aq më e qartë dhe evidente bëhet situata në mënyrë të veçantë në projektin tjetër të HEC-it , “Boskov- Most” , i cili është tashmë në fazën përfundimtare të tij dhe gati për fillimin e punimeve të ndërtimit dhe është një subjekt me të gjitha kundërshtimet e mësipërme, sepse menxhimi i kaskadës siç e bëmë me dije duhet bërë me një marrëveshje dypalëshe”, tha Vasili. Vasili u shpreh se “interpelanca jonë ka qëllim shumë të rëndësishëm dhe pozitivë për të vënë në lëvizje makismale të gjitha mekanizmat e qeverisë shqiptare që kërkojnë qartë e prerë zbatimin e marrëveshjes “Drini një vizion strategjik i përbashkët dhe në këtë mënyrë ne bëjmë as më shumë e as më pak detyrën tonë ndaj pasurisë së përbashkët kombëtare dhe njëkohësisht bashkohemi me tërë opinionin publik, i cili kërkon në mënyrë të drejtë dhe të përsëritur transparencë dhe shqetësim të cilin në mënyrë të veçantë dhe specifike e ka ngritur edhe deputeti i qarkut të Dibrës, Ibrahim Spahiu”. Një ditë më parë shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës e Tiranës zhvilluan një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës.

Advertisement