Tiranë | LSI: Inkurajojmë përfundimin e hetimeve për vdekjen e Karelit

Lëvizja Socialiste për Integrim inkurajon përfundimin sa më shpejt të hetimeve lidhur me vdekjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli në burgjet greke. “Ne inkurajojmë përfundimin sa më shpejt të hetimeve në mënyrë që fajtorët sa më parë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar dhe në këtë mënyrë të vendoset një standard i tolerancës zero, ndaj çdo sjellje dhe trajtimi çnjerëzor në burgje. Kjo do të demonstronte qartë dhe atë standard europian që duhet të karakterizojë raportet midis të dënuarve dhe sistemit peritencial”, u shpreh sot Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI. Në një deklaratë për mediat, Vasili kërkoi dhe nga pala shqiptare një ndjekje të vazhdueshme për pjesën e hetimit të ndërmarë prej saj, në bashkëpunim dhe me prokurorinë greke. “Zbardhja e kësaj çështje do të shënonte dhe ndarjen nga standardi i trajtimit çnjerëzor të çdo të burgosuri në burgjet greke dhe sidomos atyre shqiptarë”, tha Vasili. Zyrtari i LSI-së vlerësoi në këtë ngjarje ’rolin profesional dhe tepër objektiv’ të mediave greke, që ndihmuan në hedhjen dritë të saj. Po ashtu, Vasili vuri në dukje edhe ”qëndrimin tepër të kujdesshëm dhe të shpejtë të dy akseve qeveritarë, Athinës dhe Tiranës”. “Qeveria greke ka hapur një çështje dhe ka bërë arrestimet e duhura. Ajo po e ndjek rastin me përparësi. Këtu po ashtu vlerësojmë dhe qëndrimet e ambasadorit grek. Në të njëjtën gjatësi vale kanë qënë dhe reagimet e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe të Ministrisë së Jashtme, por dhe të prokurorisë shqiptare”, tha kryetari i grupit të LSI-së.

Advertisement