Tiranë – LSI, fjalimi i Ramës na bindi më shumë për koalicionin me PD

Pohimin e bëri në një dalje të posaçme për mediat, zëdhënësi i LSI, Ralf Gjoni, i cili vlerësoi se gjuha e përdorur nga Rama në Kongres ishte “tipike staliniste”. “Me këtë fjalim që mbajti dhe që ne dëgjuam, Edi Rama përforcoi edhe më tepër bindjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim për aleancën e kryer me Partinë Demokratike”, deklaroi Gjoni. Ndërkohë zëdhënësi i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës pas PD, nuk kurseu fjalët fyese dhe epitete për Edi Ramën. Gjoni e cilësoi kryetarin e PS dhe të Bashkisë së Tiranës si njeriu që prezantoi një fjalim skizofrenik dhe e konsideroi atë të papërgjegjshëm. Madje Gjoni kërkoi që Rama të kërkojë falje për dëmin sipas tij që i bëri Kushtetutës, duke vijuar edhe një herë me akuzat për betonizim të kryeqytetit, betonizim që theksoi se e realizoi dhe në kongresin e PS.

Advertisement