Tirane – LSI dorezon ne kuvend mocion me debat me kryeministrin

Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të dorëzojë sot zyrtarisht në kuvend kërkesën për mocion me debat me kryeministrin Berisha mbi krizën ekonomike në vend. Nënkryetari i kësaj force politike Dritan Prifti deklaroi dje se kriza ka prekur çdo sektor të ekonomisë shqiptare dhe qëndrimi i qeverisë është i pafalshëm duke e injoruar. “Të paktën 50 % e shqiptarëve sot janë prekur nga kriza aktuale financiare, e cila në Shqipëri është kthyer nga një krizë ekonomike, në një krizë mbijetese. Kriza nuk duhet mohuar, por kriza duhet zgjidhur. Njerëzit në krizë, sidomos shtresat në nevojë, pensionistët, fshati shqiptar, apo zona informale e Shqipërisë, që janë shtresat më të prekura nga kriza aktuale në Shqipëri, kanë nevojë për zgjidhje”, – tha Prifti. LSI-ja ka kërkuar një plan të qartë masash për të mbrojtur shtresat më të prekura nga kriza dhe ka deklaruar se ka propozime konkrete për të përballuar krizën. “Ne do të riparaqesim paketën anti-krize gjatë mocionit me debat me kryeministrin, me shpresën që kryeministri, ministri i Financave dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, do të binden që është koha për të ndërhyrë në ekonomi, është koha për të ndërhyrë, sidomos për të mbrojtur shtresat më të prekura nga kriza ekonomike në Shqipëri, për të mbrojtur pensionistët, të papunët, ata që janë me ndihmë ekonomike, fermerët, pra fshatin shqiptar, dhe personat që jetojnë në zonat informale në Shqipëri, shtresa, të cilat ne i gjykojmë se janë më të prekura në vend”, – bëri të ditur Prifti. LSI-ja dëshiron t’i tërheqë vëmendjen qeverisë dhe të debatojë me kryeministrin në lidhje me ketë situatë, për ta bindur atë që vendi vërtet po kalon një krizë.

Advertisement