Tiranë | Llalla-Sequi, në folus kthimi i besimit tek qytetari

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka në fokus të saj kthimin e besimit të qytetarit tek organi i akuzës. Kështu u shpreh sot, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjatë një takimi me Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorin Ettore Sequi, që nga ana e tij siguroi mbështetje të plotë në këtë mision të Prokurorisë. Në takim, Llalla falënderoi diplomatin Sequi, për mbështetjen që i është ofruar organit të prokurorisë nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve hetuese dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor. Duke u ndalur në prioritetet e mandatit të tij, Llalla siguroi Ambasadorin Sequi, se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të angazhohet maksimalisht për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i akuzës, duke u fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sequi, i cili zhvilloi takimin e parë zyrtar me Prokurorin e Përgjithshëm, ofroi garanci të plota dhe mbështetje të Bashkimit Evropian për realizimin e objektivave prioritarë të institucionit të akuzës, në kuadër të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Advertisement