Tiranë | Lame: Muri i fundit i bllokut rrëzohet sot

Drejtori i ALUIZNI-it, Artan Lame, njëkohësisht anëtar i Forumit të Trashëgimisë Kulturore, tha sot se “muri i fundit i bllokut rrëzohet sot, hiqet gardhi i fundit në Tiranë, i trashëguar nga vitet ’70″. Pas lirimit të hapësirave në lulishten pranë Presidencës në Tiranë, në një prononcim për mediat Lame theksoi se “Tiranës i kthehet një tjetër lulishte.Për tiranasit kjo lulishte ishte dhe nuk ishte. E ndërtuar në vitet ’50, por e mbyllur në vitet ’70 kjo lulishte priti vitin 2014 për t’iu kthyer si hapësirë e gjelbër qytetarëve”. “Po legalizojmë për qytetin një lulishte pa leje të zënë nga shteti”, u shpreh Lame. Ndërsa Këshilltari i kryeministrit, njëkohësisht anëtar i Forumit të Trashëgimisë Kulturore, Artan Shkreli, tha se “hapja e hapësirës së fundit të bllokut, e ndaluar deri më sot, u bë me interesimin e Kryeministrit Rama. “Vlera simbolike përkon me rënien e bustit të Hoxhës. Investimi do të vazhdojë me elementë të mobilimit urban”, bëri të ditur Shkreli.

Advertisement