Tiranë | Kuvendi miraton privatizimin e “Albpetrol”

Friday, December 19, 2025

Opozita e cilësoi privatizimin e shoqërisë Albpetrol si jo transparent dhe të bazuar në një formulë korruptive. Deputeti i opozitës Arben Ahmetaj theksoi se formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive, duke nënvizuar se nuk është koha e duhur për privatizimin e plotë të Albpetrolit. “Bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë, dhe nafta e gazi mund të rivlerësohen në miliarda dollarë, tha Ahmetaj, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalë privatizimin, dhe të presë, pasi sipas tij investitorët strategjikë për Albpetrolin nuk do të mungojnë edhe më vonë. Ndërsa nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli tha se projektligji është jo transparent. “Në këtë projektligj kuptohet thjeshtë se mungon transparenca për kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik. Në rastet e mëparshme, po në këtë industri, qeveria juaj, është akuzuar se kriteret për vlerësimin e partnerëve strategjikë nuk kanë qenë të sakta, madje kanë qenë thjesht kopertura”, u shpreh zonja Kodheli. Sipas saj, në privatizimin e Albpetrolit, i pari dhe i vetmi duhet të jetë interesi i vendit dhe i popullit. “Interesi i vendit dhe i shqiptarëve të jetë i pari dhe i vetmi. Vetëm ky interes nuk po merret parasysh me këtë projektligj që pala tjetër kërkon ta bëjë sot ligj”, theksoi deputetja socialiste. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço e mbrojti projektin e qeverisë për shitjen 100% të Albpetrolit, duke nënvizuar se nga shitja e kësaj shoqërie në duart e privatit do të siguroheshin fonde për investime publike. “Fondet që do të përfitohen nga privatizimi i Albpetrolit do të përdoren për investime rrugë, tunele. Fondet do të rriten edhe përmes të ardhurave nga tatimi mbi fitimet”, u shpreh ministri i Ekonomisë. Sipas ministrit Naço, punonjësve të Albpetrolit të cilët pas shitjes së shoqërisë rrezikojnë të dalin në rrugë, drafti në fjalë u siguron pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -