Tiranë | Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor për Spahiun

Kuvendi-i-Shqiperise

Kryetari i këtij komisioni u zgjodh deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. Ky komision do të hetojë të gjithë veprimtarinë e zëvendëskryetarit të KLD-së, pas kërkesës së demokratëve, që kërkojnë shkarkimin e tij për shkak se pretendojnë se numri dy i KLD-së ka shkelur ligjet duke cënuar dinjitetin e institucionit që drejton, duke e shfrytëzuar postin për të kryer veprimtari politike. Përpara nisjes së seancës së sotme zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu përmes një letre i kërkoi Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli të dëgjohet në Parlament. Kërkesa e tij nuk u pranua nga kryeparlamentarja Topalli. “Kërkoj të flas në Kuvendin e Shqipërisë, pasi Komisioni i Ligjeve më mohoi të drejtën e fjalës. Kuvendi ka detyrim të më dëgjojë”, shkruante nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu në letrën e tij. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Spahiut deklaroi në foltoren e Kuvendit se mazhoranca nuk është kundër personit Kreshnik Spahiu, porse do të hetojë mbi Kushtetutshmërinë e veprimeve të tij në postin që mban. Opozita e cilësoi këtë Komision Hetimor, antikushtetues duke mos e dhënë votën e saj. Sipas socialisëve në Kuvend, mazhoranca kërkon shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së pasi i trembet të ardhmes politike të Kreshnik Spahiut, të cilin në krye të herës e mbështeti sikundër edhe Presidentin e Republikës Bamir Topi, të cilin e ka anatemuar politikisht, duke e quajtur deri edhe “horr bulevardi”, pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, ku u vranë katër demonstrues dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Advertisement