Tiranë – Kuvendi i përgjigjet letrës së Ramës për mbledhjen e Komisionit Parlamentar

Në përgjigjen e kryeparlamentares thuhet se rendi i ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit Parlamentar për ngritjen e Kompleksit të Ri Parlamentar ishte përcaktuar dhe vendosur në mbledhjen e kaluar . “Së pari, shprehim keqardhje për keqkuptimin e madh tuajin në lidhje me mbledhjen e Komisionit Shtetëror për ngritjen e Kompleksit të Ri Parlamentar. Siç e dini shumë mirë, rendi i ditës së mbledhjes së sotme ishte përcaktuar dhe vendosur në mbledhjen e kaluar dhe ju keni rënë dakord. Në mbledhjen e kaluar, në të cilën ju ishit i pranishëm, u paraqit lista e gjithë studiove arkitekturore më prestigjoze për t`u ftuar në konkursin për projekt – idenë e Kompleksit të Ri Parlamentar. Edhe për listën e studiove, që do të ftoheshin ju keni rënë dakord. Prezantimi i listës së studiove arkitekturore, që kanë shprehur interes për pjesëmarrje në konkursin ndërkombëtar është përcaktuar në rregulloren e konkursit, edhe për këtë, keni rënë dakord”. Myftiu më tej deklaron se në mbledhjen e sotme të Komisionit Shteteror u bë prezantimi i 25 studiove më të njohura ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këtë konkurs. Komisioni Shtetëror vendosi që të gjitha këto studio të marrin pjesë në konkursin për projekt – idenë për Kompleksin e Ri Parlamentar. “Pavarësisht nga nervozizmi dhe keqkuptimet tuaja të thella, ne ju konsiderojmë jo si një i ashtuquajtur, por ende si një anëtar të këtij komisioni. Me porosi të Kryetares së Kuvendit dhe të Komisionit Shtetëror, ju garantoj se në 100 vjetorin e Pavarësisë do ta bëjmë Shqipërinë me Parlament të ri, funksional, dinjitoz siç e meriton” përfundon letra drejtuar kreut të Bashkisë Rama.

Advertisement