Tiranë | Kuvend: emërohet anëtari i ri i KQZ-së, debatet minutë pas minute

Pas shumë orëve mbushur me debate, Kuvendi ka miratuar me 73 vota pro, lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së propozuar nga LSI, Ilirian Muho, dhe emërimin në këtë post të Klement Zgurit, propozuar nga Partia Republikane. Krahas votave të mazhorancës në seancë plenare votuan pro edhe deputetët Gjovalin Kadelli, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani. Deputetët socialistë të opozitës e kundërshtuan ashpër kërkesën e Partisë Demokratike për lirimin e anëtarit Muho, duke e konsideruar një nismë antikushtetuese, që rrezikon mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Mazhoranca nga ana e saj e ka argumentuar ligjshmërinë e kërkesës, duke theksuar nevojën e respektimit të baraspeshës politike mbi të cilin është ngritur KQZ dhe komisionet zgjedhorë të nivelit të dytë. Sipas PD-së prishja e barazpeshës së KQZ-së pas largimit të LSI-së nga koalicioni, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Deputetët socialistë në fjalimet e tyre kanë akuzuar kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë zgjedhjet përmes kontrollit të KQZ-së. Deputeti demokrat Edi Paloka, nga ana tjetër ka akuzuar kreun socialist Edi Rama se po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë përmes manipulimeve. Akuzat në drejtim të anëtarit të KQZ-së propozuar nga LSI, Ilirian Muho u ashpërsuan më pas kur kryeparlamentarja e akuzoi se ka fshehur CV-në e tij, pasi është shkarkuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me kërkesë të Kryeprokurorit Dhori Sollaku për lidhje me krimin. “Ilirjan Muho ka mashtruar parlamentin me CV që nuk tregon që është i shkarkuar nga presidenti me propozim të kryeprokurorit Dhori Sollaku , ai mashtroi edhe në dëgjesën në komision. Nuk ndihesh ti i fyer që të ka mashtruar propozuesi që ke në koalicion. Propozuesi që ka sjell në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar parlamentin me CV-në e tij se nuk tregon se është i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Seanca dëgjimore, është një akt betimi. Dhori Solllaku ka kërkuar shkarkimin e tij për lidhjen me krimin dhe kriminelet me të rrezikshëm. Ky ëhtë atentati më i madh që i bëhet Parlamentarizmit. Kam 18 vjet në politik. Në bazë të ligjit dhe kodit elektoral ka një nen, që i referohet këtij zotërisë, që emërimi është i paligjshëm, pasi ai është i shkarkuar për lidhjet me krimin”, tha Topalli. Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj është kundërpërgjigjur: “Jam i surprizuar nga paturpësia e Jozefinës, ku ishit dje që e miratuat Muhon. Pranoni që keni qenë sylesh apo e përdorët si peng për të mbajtur me doemos pushtetin. Është turpi juaj dy herë”, tha ai. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli teksa rilexoi dokumentin që Prokurori Dhori Sollaku kërkon shkarkimin e Ilirjan Muhos, akuzoi opozitën se po mbron një person që ka liruar një kriminel. “Qeshni qeshni prandaj e mbroni ju. E kuptoni pse e mbroni ju Ilirjan Muhon, ky është njeri i ligjit, ai që ka liruar personin që është dënuar për vrasje, prostitucion dhe trafik. Dëgjoni kë mbroni. Votoni kundra pasi mua më intereson që të votoni kundra. Ku është ai që mbroni ju, ai që liroi kriminelin. Kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci, si replikë të akuzave të mazhorancës bëri apel që PD ti përmbahet kërkesës së saj, teksa bëri krahasimin e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ në kohën kur opozita qeveriste duke kujtuar se PD emëroi kryetar Arben Ristanin, i dënuar nga gjykatat. “Sa i përket anës morale zonjë, Ristani që manipuloi dy palë zgjedhje, nuk ka qenë i ndaluar nga policia e shtetit dhe prokuroria e vendit? Ristani që drejtoi dy herë komisionin tuaj dhe sot është zv/ministër nuk ka qenë i dënuar nga gjykata e këtij vendit. Lini këto broçkullat, ne jemi serioz me propozimin tuaj që i keni sjellë seancës së Parlamentit. Dokumentat që keni, nëse do diskutonin për një kandidat që ka ardhur me votat e opozitës do kishte sens, por ju që keni vërejtje, dhe të gjitha shembujt që sillni, Ilirjan Celibashin e ka sjellë konferenca e gjyqtarëve. E ka zgjedhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Dëshira Subashin e ka zgjedhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, e shikon sa larg ne dhe ju. Është diferencë e madhe. Ju jeni futur detit më kembë, me nismën e marrë nuk ka gjethe fiku që ju mbulon dhe gjethe rrapi që ju mban. Nëse keni argumenta jepini”, tha ruci. Demokratët më pas janë tërhequr nga kërkesa e tyre për shkarkimin e anëtarit të KQZ Ilirjan Muho, mbi argumentin, e mosrespektimit të barazpeshimit politik në përbërjen e këtij komisioni, ndërsa kërkon shkarkimin e tij nga ky post, duke argumentuar në paligjshmërinë e emërimit të Ilirjan Muhon, si anëtar i KQZ. Në kërkesën për shkarkim thuhet se “ Muho është emëruar në shkelje të nenit 12 gërma ë e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ai është shkarkuar nga funksioni Prokurorit me dekret të Presidentit të aso kohe Alfred Moisiu më 12 mars 2003, duke i fshehur Kuvendit gjatë procedurës së emërimit deklarimin e fakteve që pengonin emërimin në detyrë të anëtarit të KQZ”, thuhet në amendament, i cili mban firmën e 33 deputetëve demokratë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi se lirimi i anëtarit të KQZ-së, me kërkesë të mazhorancës, është një përpjekje tjetër e saj për të shkatërruar institucionet e administrimit të zgjedhjeve dhe për të vrarë besimin e zgjedhësve tek institucionet e votës. “Kjo rrugë që keni zgjedhur e turpëron shtetin shqiptar para partnerëve ndërkombëtarë. Kjo dhuna juaj i kompromenton marrëdhëniet e Shqipërisë me botën demokratike; e kompromenton rrugën europiane të Shqipërisë dhe besueshmërinë e saj si anëtare e NATO-s”, iu drejtua Ruçi deputetëve të djathtë. “Apeli i fundit, vijoi ai, është se ju jeni në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Precedenti i sotëm është tejet i rrezikshëm, ndaj tërhiqeni kërkesën dhe të gjeni rrugën e duhur”. Kryeministri Berisha i është bashkuar diskutimeve në Kuvend ku i kujtoi deputetëve në sallë se marrëveshjet e bëra nuk shkelen. “Nga viti 2000 dhe në vazhdim forcat politike kanë bërë përpjekjet më të ndershme dhe serioze për të vendosur balancë në institucionet e administrimit të zgjedhjeve, u arrit kjo nga 6 me 1 në 5 me 2 anëtarë, prapë u quajt si prekje e të drejtave të socialistëve. Ju në vitin 2003 i shkelët ato. Moszbatimi i i marrëveshjes në 2003 i kushtoi partisë suaj më shtrenjtë se cdo gjë tjetër. Është e lehtë të flasësh pa llogari para qytetarëve, por ata kanë një memorie. Me ndërmjetësim ndërkombëtar u arrit që të jetë balanca 4 me 3. U firmosën marrëveshjet, u ndërpre një mandat për balancën 4 me 3. Ne e pranuam, opozita fitoi zgjedhjet. Ju e pranuat në 2007, 2009, në 2011, e pranuat edhe në 2013 se me halucinacionet që keni për të ardhur në pushtet që s’do bëhet kurrë realitet kërkuat që mandati i kryetarit të bëhet 4 vite. Parashikimet e mia janë e dalin, opozitë keni qënë e opozitë do mbeteni”, tha ai. Duke u ndalur tek rasti i Ilirian Muhos, Berisha shtoi se ai duhet të jepte vetë dorëheqjen për shkeljet e bëra. Kryeministri kërkoi falje që e ka miratuar atë, por kjo sipas tij ka ndodhur ngaqë nuk ishte në dijeni të shkeljeve të tij. Si replikë, kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruci i kërkoi kryeministrit Berisha llogari se pse vendosi Arben Ristanin në krye të KQz dhe më pas zv.ministër në një kohë që ai është dënuar. “Së pari zoti kryeministër bëre shumë moral, ne nuk mbrojtëm asnjë individ, por principet Kushtetun dhe ligjin. Sa i pëket shitjes së moralit, para set ë na shesësh moral përgjigju pyetjesAarben ristani kreu i KQZ dhe sot zv/ministër i Brendshëm që merret me zgjedhje, i shkarkuar nga dekreti jot si president dhe i dënuar me vendim gjykate, dhe me burg, pse e vendose kryetar të KQZ për të vjedhur zgjedhjet dhe sot zv/ministër per te vjedhur zgjedhjet”, tha Ruci. “Duke parë qëndrimin e kryeministrit ne bëmë detyrën tonë si opozitarë dhe ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtij skandali në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjit në vrasjen për herë të dytë për mandatet e qarqeve, është shkelja e dytë dhe njolla e dytë që i vini procesit zgjedhor pa filluar ende zgjedhjet”, tha Ruci. Pas deklaratës së Rucit deputetët socialistë u ngritën për tu larguar nga salla. Situata në sallë ka kaluar përmes tensioneve, kur deputeti socialist Gazmir Bizhga ka tentuar të nxjerrë jashtë deputetin Kastriot Islami para nisjes së votimit, situatë për të cilën është dashur ndërhyrja e gardës. Kuvendi më pas kaloi në votim duke zgjedhur me 73 vota Klement Zgurin, propozuar nga Partia Republikane, në postin e anëtarit të ri të KQZ-së. Pas zgjedhjes në detyrën e re, anëtari i ri i KQZ-së u betua para Kuvendit. Ish-deputeti i PS-së Asllan Dogjani pas votimit në Kuvend pro shkarkimit të Ilirian Muhos, ka deklaruar se ka bërë gjënë e duhur, duke zbatuar kodin. Dogjani nuk kurseu akuzat në drejtim të kryesocialistit Rama. “Kam fatin më të madh që e njoha në këto 6 muaj nga afër Ramën. Ai është njeri pa vizion e pa vlera”, tha Dogjani. Kastriot Islami komentoi përplasjen me deputetin Gazmir Bizhga: “Nuk jam as i dëshpëruar, as i gëzuar ndjej keqardhje për gjithë grupin socialist. Për 4 vite jam munduar të pengoj atë që ndodhi sot”, tha ai. Menjëherë pas ish-deputetëve të PS-së fjalën në Kuvend e mori kryeministri Berisha, i cili falënderoi ata dhe i ftoi të bashkëpunojnë me PD. “Shakaxhinjtë që mendonin se do rrëzonin qeverinë gabonin rëndë, por pati 3 deputetë të përgjegjshëm dhe unë jam i vendosur për bashkëpunim afatgjatë me ju”, tha ai. Në përfundim të seancës, Byroja e Kuvendit nën drejtimin e Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi “ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në Komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë”. “Këta deputetë me veprime të dhunshme tentuan të pengonin deputetët që të ushtronin funksionin e tyre kushtetues për të votuar çështjet e rendit të ditës. Deputetët e mësipërm ju morën kartat e votimit, tre deputetëve. Veprimet e mësipërme të dhunshme për të mos lejuar deputetët për të votuar, u shoqëruan edhe me kërcënime e fjalë fyese ndaj këtyre deputetëve”, sqarohet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Advertisement