Tiranë | Kuvend: diskutohet pr/buxheti 2012

alt

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, prezantoi pr/buxhetin duke deklaruar se pavarësisht krizës ekonomike botërore ekonomia shqiptare vazhdoi ritmet e rritjes pozitive, duke siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe duke nxitur konsumin e brendshëm përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve. “Reformat e ndërmara gjatë 6 viteve të fundit forcuan ekonominë e tregut. Ulja konstante e normës së papunësisë, reforma strukturore e ato rregullatore, shkurtimi i shpenzimeve administrative, si dhe rritja e nivelit të investimeve, bënë të mundur bërjen ballë të efekteve të krizës”, theksoi Spaho. Spaho theksoi se objektivat e pr/buxhetit të shtetit për vitin 2012 janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %. Spaho deklaroi se opozita ka kundërshtuar p/buxhetin e shtetit, duke argumentuar votën kundër me faktin se borxhi publik përbën një rrezik për ekonominë. Kryeministri Sali Berisha mori fjalën në këtë seancë plenare duke mbrojtur draftin e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se buxheti është portofoli i familjeve shqiptare për vitin 2012. “Sot, në vitin 2011 është dita më e shënuar dita në të cilën ligjvënësit e vendit, ata vendosin për buxhetin, buxhetin e 820 mijë familjeve shqiptare që janë aksionere direkt të këtij buxheti, por vendosi në buxhetin e gjithë shqiptarëve portofolët e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre, vendosi për shkollat e fëmijëve të tyre”. Duke theksuar se për qeverinë, parësore është interesi i qytetarit, kryeministri theksoi se ky buxhet reflekton pikërisht këtë buxhet. Kryeministri theksoi se në sajë të reformave të gjithanshme të maxhorancës në këto vite dhe mbi të gjitha modelit ekonomik të vendosur, shqiptarët ia dolën që në një hark kohor 6-vjeçar të inkasojnë në buxhetin e tyre rreth 8 miliardë dollarë më shumë. “Gjatë këtyre viteve kemi bërë tre buxhete shtesë, shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë, por ne ia kemi dalë të mbledhim në këto vite tetë miliardë dollarë më shumë, duke mos llogaritur këtu shumë miliarda me uljen e taksave, tarifave, tatimeve, doganave etj”, tha kreu i qeverisë”. Berisha theksoi i bindur se opozita dhe këtë do shprehet kundër buxhetit. “Ju nuk e votuat ne Komision kete buxhet. Unë uroj që ju të cliroheni këtë vit, një vit më parë ju ratë në sindromën e ‘tunelit të Krrabës’ dhe qëndruam së bashku deri në orën 5 të mëngjesit. Unë u përpoqa t’u shëroja, por ishte e pamundur. Ju nuk do e votoni sërish buxhetin, pasi ju keni sindromën e tunelit. U mundova t’ju shëroja, absolutisht. Unë e lexoj në fytyrat tuaja se dhe këtë vit ju nuk doni ta votoni”. Sipas kryeministrit, buxheti përballon rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, në shëndetësi dhe ndërtimin e veprave të mëdha. “është buxheti i 100-vjetorit, të mos e harrojmë”. Berisha më tej theksoi se buxheti ka qëllim madhor, që Shqipëria të jetë dixhitale, dhe buxheti e përballon këtë.”Nuk arrij të mendoj dot sesi nuk do e votoni këtë buxhet”. Nga ana tjetër deputeti socialist Erion Braçe akuzoi qeverinë se gënjen për shifrat e paraqitura në buxhet. Sipas Braçes, buxheti është hartuar mbi borxhe dhe kjo vetëm sa rrit koston e jetesës së çdo qytetari. “Berisha gënjen, buxheti nuk është i jashtëzakonshëm. Jemi në vitin 2012 dhe rritja ekonomike është në rënie. Për vendet e punës, gënjen, niveli i të papunëve u rrit dhe javën e kaluar. Pensionet në qytete rriten vetëm 4% dhe në fshat po 4%. Rritja e pagave, jo tek vendet e BE nuk i arrijmë, por as ato në rajon. Shumë pyesin pse nuk kam punë, pse nuk kam rritje të të ardhurave, sepse rritja është stimuluar nga borxhi. Një ditë duhet ta kthejmë borxhin. Konsumi në vend ka rënë dukshëm. Shqiptarët nuk kanë nevojë për borxh, por për punë.” Deputeti socialist akuzoi qeverinë se po manipulon shifrat e rritjes ekonomike për të fshehur të dhënat reale që tregojnë rritjen e borxhit publik të vendit. “Borxhi i vendit është rritur me 3.5 miliardë dollarë, që prej vitit 2005. Rritja ekonomike e manipuluar duket sikur e zvogëlon borxhin, por ai është aty. Berisha po luan me falimentin, ne duhet të paguajmë shtesë për borxhin e vendit.”, u shpreh Braçe. Sipas Braçes, korrupsioni po nënshtron shtetin tonë pasi sipas tij, “kryeministri Berisha po mban me thonj pushtetin duke treguar se nuk i do shqiptarët. “80 përqind e pasurisë në vend zotërohet prej 1 përqind të popullsisë shqiptare. Së bashku kemi arsye të rrëzojmë sa më parë këtë qeveri, duke parë varfërinë e madhe, problemet që po has populli çdo ditë.”, deklaroi Braçe.

Advertisement