Tirane – Kushtetuesja rrezon disa nene te ligjit per organizimin e pushtetit gjyqesor

Gjykata Kushtetuese me një votim 5 me 4, rrëzoi dje disa nene të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, që i jep më shumë kompetenca kancelarëve dhe që ngjalli një reagim të fortë të Shoqatës së Gjyqtarëve, kohë më parë. Ligji i miratuar nga maxhoranca vitin e kaluar u ankimua nga Shoqata kombëtare e Gjyqtarëve në mes të dhjetorit të kaluar, në Gjykatën Kushtetuese. Të përfaqësuar nga kryetarja e shoqatës së tyre, Manjola Bejleri, gjyqtarët shprehën kundërshtitë se, me anë të këtij ligji po kërkohej t‘i hiqej totalisht mundësia pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar ato Ministrisë së Drejtësisë, një organ ky që i përket pushtetit ekzekutiv. Një ankesë tjetër e gjyqtarëve ishte se, nuk ishte marrë mendimi i tyre dhe nuk është përfshirë as vetë KLD-ja në grupin e punës, duke e përjashtuar qeverinë e gjyqësorit, si grupimi më i interesuar në këtë projekt. Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve paraqiti kundërshtime edhe në lidhje me rregulloren e re për administratën gjyqësore. Duke theksuar se risia “kancelarë” do të ishte një kosto për sistemin gjyqësor, Bejleri vuri në dukje gjatë debatit që pati në Kuvend me deputetë të Komisionit të Ligjeve, se kjo risi do të kalonte Gjyqësorin nën administrimin e Ministrit të Drejtësisë. Të pranishëm në Komisionin e Ligjeve ishin dhe kancelarët, të cilët mbrojtën rregulloren e re administrative. Gjykata Kushtetuese e mori në shqyrtim ankesën e gjyqtarëve në dhjetë ditëshin e parë të dhjetorit 2008. Shoqata e Gjyqtarëve pretendonte se në ligjin për gjyqësorin, dy nene të tij e vënë institucionin e Gjykatës në varësi politike. Gjyqtarët kundërshtuan, sipas argumenteve që dha kryetarja e shoqatës, Bejleri, “nenet 37 dhe 38, që kanë të bëjnë përkatësisht me emërimin e kancelarit nga ministri dhe neni 38, për mënyrën e hedhjes së shortit të përcaktimit të gjyqtarëve që ndjekin proceset gjyqësore”. Shoqata e Gjyqtarëve kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të hedhë poshtë këto dy nene të kontestuara, pasi hedhja e shortit nga kancelari i Gjykatës vihet në dyshim. Pas kundërshtimeve të Shoqatës së Gjyqtarëve për reformën në drejtësi, ku futet edhe ky ligj, rezerva shprehën edhe misionet që asistojnë Shqipërinë në fushën e Drejtësisë. Ekspertët e ‘EURALIUS’, misionit të BE-së në Shqipëri iu bashkuan zërit të gjyqtarëve, noterëve, avokatëve drejtuar qeverisë, për të tërhequr 7 ligjet e sistemit të Drejtësisë, pra që kanë të bëjnë me reformën në këtë sistem.